Basha: Puna ime në bashki, shembull. Do të punoj deri ditën e fundit të mandadit

21/07/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, edhe për pak ditë, Lulzim Basha ka deklaruar se në 4 vite ka dyfishuar investimet në Tiranë në shkolla, çerdhe e kopshte, dhe se do të vijojë të punojë deri ditën e fundit, që do të jetë në këtë funksion.

“Në këto 4 vite, Bashkia e Tiranës, në programin e arsimit parauniversitar – pra të kopshteve dhe çerdheve, – por edhe në programin e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare ia ka dalë të përfundojë investimin në mbi 30 objekte, ndërkohë që 13 të tjera janë drejt përfundimit. 8 objekte të tjera janë në prokurim, 13 objekte janë të projektuara dhe gati për t’u investuar. Pra në total 64 objekte në 4 vite, nga të cilat më shumë se 41 kanë përfunduar apo do të përfundojnë në muajt e ardhshëm, ndërsa pjesa tjetër është bërë gati për t’u përfunduar në një periudhë kohore 12-18 mujore. Nevojat e qytetit të Tiranës janë shumë më të mëdha se kaq. Por po të kemi parasysh se në periudhën 2004-2011 numri total i investimeve kapi 51 objekte, them që dyfishimi i investimeve në këto 4 vite të shërbejë si një standard për t’u ndjekur dhe për t’u çuar më tej. Të paktën këtu shpresoj që modeli Basha të ndiqet, e jo modeli i mëparshëm, sepse sipas modelit të mëparshëm do të thotë t’i reduktonim me përgjysmim investimet”, tha Lulzim Basha, kreu në largim i Bashkisë së Tiranës.

Kryetari Basha ka sugjeruar që investimet e bëra për 4 vite në krye të Bashkisë së Tiranës të shërbejnë si shembull. Ai mori pjesë në përurimin e kopshtit numër 29 në Njësinë Bashkiake numër 3, ku do të akomodohen 150 fëmijë të vegjël.

Top Channel