Emigrantët “shpërbëjnë” BE-në, dështon marrëveshja për kuotat e pranimit

21/07/2015 00:00

Objektivi ishte të shpërndaheshin në vendet e bllokut europian 40.000 refugjatë të mbërritur në Greqi e Itali, si dhe 20.000 të tjerë nga kampet në Afrikën veriore.

Por as raundi i dytë i bisedimeve të ministrave të Brendshëm të BE-së nuk i përmbushi dot objektivat e sistemimit të të gjithë këtrye emigrantëve, duke arritur të shkëpusë vetëm premtimet për zhvendosjen e 32.000 personave, një numër më i vogël nga sa kërkohej prej krerëve europianë.

Si gjithmonë, shkruajnë mediat e huaja, kur vjen puna tek politika e refugjatëve, në Europë merr fund solidariteti.

Bisedimet ishin mjaft të vështira, tha komisioneri i bllokut për Refugjatët, Dimitris Avramopolous. I zhgënjyer, ai e pranoi se vullnetarizmi nuk funksionon.

Komisioni Europian kishte propozuar fillimisht një kuotë fikse për secilin vend, por kjo u refuzua nga shtetet anëtare. As ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, një politikan me shumë përvojë, nuk ia doli t’u merrte më shumë premtime kolegëve europianë.

“Disa shifra ishin zhgënjyese, të tjera për të ardhur turp”, tha ai duke iu referuar kështu atyre që bllokuan përpjekjet e sistemimit të klandestinëve.

Nuk ishte vetëm Britania dhe Danimarka që zgjodhën të distancohen, por edhe Hungaria dhe Austria deklaruan se janë boll të rënduara me këtë problem dhe thanë se nuk duan të marrin pjesë në programin e rishpërndarjes.

Shumë larg limiteve të vendosura janë edhe Bullgaria, Spanja dhe Portugalia, ndërsa Gjermania i qëndroi premtimeve me pranimin e mbi 12.000 vetëve.

Në fund të vitit këshilli i ministrave të Brendshëm do të mblidhet sërish për të gjetur vendet për 8.000 refugjatë që ndodhen në Europën jugore.

Sidoqoftë, konsiderohet pozitiv fakti që rishpërndarja e refugjatëve të parë do të nisë në tetor, ndërsa do të fillojnë shumë shpejt edhe të ashtequajturat hotspot-e, ku duhet të regjistrohen të gjithë refugjatët që vijnë në Itali dhe Greqi, e ku do të përpunohen kërkesat për azil dhe do të bëhet një vlerësim i parë.

Ndërkohë, edhe pse fluksi i shqiptarëve, të cilët kanë marrë rrugën e Gjermanisë me shpresën e një jete më të mirë, në vendin që nuk njeh krizë ekonomike si pjesa tjetër e Europës, është rritur ndjeshëm, nuk është i vogël dhe numri i të zhgënjyerve nga ky rrugëtim.

Pamjet dramatike të siguruara nga Top Channel tregojnë azilkërkuesit duke pritur me orë të tëra për të siguruar bukë. Situata në kampet e strehimit të përkohshëm është shumë larg idilikes, siç e tregojnë edhe fotot e tendave të mëdha me dhjetëra shtretër, ku pritja bëhet edhe e mundimshme, nga fakti që përgjigjja e kërkesës për azil mund të kërkojë me muaj të tërë.

Top Channel