Kosovë, arrestohet për ryshfet kryetari i Gjykatës së Apelit

21/07/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka urdhëruar arrestimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Salih Mekaj.

Ky i fundit dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, ndërkohë që është kapur duke marrë ryshfet për të liruar një të burgosur.

Arrestimin e Mekajt e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale, por ky institucion nuk ka dhënë detaje për çështjen konkrete për të cilën po hetohet Mekaj.

“Urdhërndalimin për 48 orë, Prokuroria e ka bërë për shkak të dyshimit të bazuar se, kryetari Mekaj ka kryer veprat penale të ‘Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe veprës penale ‘Ushtrim i ndikimit’ të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar gjithashtu se, lidhur me këtë rast ka urdhëruar edhe arrestimin e një femre të dyshuar, V.G., e cila dyshohet se i ka dhënë paratë në formë ryshfeti kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda Prokurorisë Speciale se, kryetari i Gjykatës së Apelit është arrestuar në zyrën e tij të punës, pak minuta pasi nga objekti i këtij institucioni ishin larguar punonjësit e tjerë.

Pas arrestimit të kryetarit të Gjykatës së Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, përmes së cilës ka bërë të ditur se do të nisë procedurat ligjore disiplinore ndaj kryetarit të arrestuar.

Top Channel