Pasojat e të nxehtit tek fëmijët, çdo ditë 100 fëmijë në pediatrinë e Elbasanit

21/07/2015 00:00

Mbi 100 fëmijë, kryesisht me temperaturë të lartë, të vjella dhe diarre, paraqiten çdo ditë në Pediatrine e Elbasanit për të marrë ndihmën mjekësore. Mjekët shprehen se situata nuk paraqet ndonjë ndryshim të dukshëm nga vitet e tjera, por këshillojne prindërit të tregohen të kujdesshëm kryesisht me ekspozimin e femijëve në diell.

Dr. Irena Palloshi thotë se edhe në vendet e pushimit, siç janë plazhet dhe pishinat, fëmijët nuk duhet të dalin pas orës 10.00. Gjithashtu, kujdes të veçantë duhet të tregohet me dietën ushqimore.

“Në këto ditë të nxehta në spitalin e Elbasanit paraqitet si çdo verë tjetër, që dominojnë më shumë rastet me probleme të sistemit gastro- intestinal. Kemi rreth 100 paraqitje në ditë, kryesisht fëmijë me bark, të vjella, temperaturë. Prej tyre kemi 30- 40 që marrin serum ambulator. Pjesa e fëmijëve që mbeten rëndë, shtrohen në spital”, thotë Irena Palloshi, Shefe e Pediatrisë, Elbasan.

Aktualisht, të shtruar në spital janë rreth 20 fëmijë, kryesisht për shkak të temperaturës së lartë dhe dehidratimit, ndërsa pjesa tjetër pasi marrin terapinë ditore dhe vazhdojnë mjekimin në shtëpi.

Mjekët gjithashtu i këshillojnë prindërit të tregojnë kujdes me kondicionerët pasi bëhen shkak për ftohjen e femijëve sidomos kur temperatura nuk është konstante në të gjithë shtëpinë.

Top Channel