Temperaturat e larta, mjekët: Shmangni daljen në diell, konsumoni lëngje

21/07/2015 00:00

Temperaturat e larta me të cilat po përballemi në këto ditë korriku, mund të riskojnë shëndetin e gjithësecilit nëse nuk do të kujdesemi.

Për t’i përballuar sa më lehtë këto temperatura, mjekët këshillojnë evitimin e daljes në orët e pikut, në rast të kundërt nëse nuk mund ta evitojnë, dhe u duhet të dalin në rrugë kur temperaturat ndihen 45 gradë Celcius të mbajnë ujë me vete, çader dhe kapele. Të konsumojnë lëngje frutash të freskëta dhe jo ato që tregtohen.

“Ne këshillojmë pacientët të evitojnë daljen në orët e pikut, nga ora 09.00 deri në orën 4.00 pasdite që është piku i vapës. I këshillojmë të marrin lëngje frutash, ujë të pijshëm, erashka, përdorimi i kapeleve, çadra dielli”, thotë Nerta Qoku, mjeke e përgjithshme Poliklinika nr. 3.

Mjekët këshillojnë të frekuentohen ambiente të freskëta, por sipas tyre duhet patur shumë kujdes nga ambiente me ajër të kondicionuar apo dhe përdorimi i kondicionerit në shtëpi, pasi kalimi nga një ambient shumë i nxehtë në atë të freskët dëmton shëndetin. Temperatura e kondicionerit në shtëpi nuk duhet mbajtur më pak se 25 gradë Celcius.

“Kujdes të veçantë duhet të kemi në ndryshimin e ambientit. Jemi jashtë në një ambient shumë të nxehtë, do të hyjmë në ambient të kondicionuar, ku temperaturat do të jenë 20-25 gradë, jemi të djersitur. Kjo riskon një sëmundje të pacientit, laringit, ftohje, sepse trupi ambientohet me vështirësi, ka një diferencë temperature. Pirja e ujit shumë të ftohtë, duhet të jetë i freskët. Një temperaturë e këshillueshme si në dimër, dhe në verë, duhet të jetë 27 gradë për fëmijët”, thotë Qoku.

Kujdes duhet treguar dhe me ushqimet në këto ditë të nxehta. Një dietë e shëndetshme sipas mjekëve është ajo e pasur me shumë perime, e cila ndihmon në hidratimin e trupit. Një kujdes të veçantë mjekja këshillon për fëmijët e vegjël dhe moshat e treta.

“Kujdes të veçantë moshat e treta dhe fëmijët sidomos, janë më te prekura nga temperaturat e larta. Fëmiëjt duhet të vishen sa më lehtë, jo trashë, të vishen me bluza të pambukta dhe të hidratohen sa më mirë me ujë dhe lëngje të freskëta frutash. Moshat e treta duhet të kenë kujdes më të veçantë sepse preken nga sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni”, vijon mjekja Qoku.

Meteorologët parashikojnë temperatura të larta gjatë gjithë kësaj jave ndaj pak kujdes për veten do të ndihmonte për t’i përballuar sa më lehtë ato.

Top Channel