Zona e re urbane në Yzberish, pa ujë prej vitesh

21/07/2015 00:00

Me qindra familje pak kilometra larg Tiranës, vuajnë prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre.

Kur termometri shënon temperatura rekord, banorët e zonës së Yzberishit i gjejmë pranë një pusi të vendosur në dispozicion të qytetarëve nga pronari i një kompleksi ndërtimi, e ku mund të mbushin ujë sipas një orari të caktuar.

“Nuk kemi ujë na vjen 10 minuta dhe ikën pastaj. Mbajmë ujë me krahë dhe mbushim depozitën”, thonë banorët.

Yzberishi deri më tani ka qenë pjesë e komunës Kashar, ku banorët thonë se janë ankuar herëpashere për mungesën e ujit të pijshëm. Por pavarësisht premtimeve, ata shprehen se askush, asnjëherë nuk ka zgjidhur problemin disavjecar. Me ndarjen e re territoriale, kjo zonë tashmë është pjesë e Bashkisë së Tiranës.

“Jemi ankuar në komunë dhe nuk kemi gjetur zgjidhje. U bë tubacioni dhe nuk ka ardhur ujë”, ankohen qytetarët.

Top Channel