Turqi, hetimet për sulmin në Suruç, identifikohet një i dyshuar

21/07/2015 00:00

Autoritetet turke kanë identifikuar një person të lidhur me sulmin vetëvrasës së Suruçit një ditë më parë, ku gjetën vdekjen 32 aktivistë.

Kryeministri Ahmet Davutolgu, i cili pritet të vizitojë vendngjarjen, tha se po hetohen lidhjet ndërkombëtare dhe ato të brendshme të të dyshuarit. Ai tha se me shumë gjasa sulmi është vepër e ISIS-it.

Qeveria turke njoftoi rritjen e masave të sigurisë në kufirin me Sirinë.

“Do të bëhet ajo që është e nevojshme mbi këdo që ka përgjegjësi për këtë sulm. Ky ishte një sulm kundër Turqisë”, tha Davutoglu.

Mbrëmjen e së hënës, qindra të rinj u mblodhën në Ankara, Stamboll dhe Suruç për të protestuar kundër qeverisë. Ata akuzojnë qeverinë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar ISIS-n.

Por Davutolgu mohoi këtë duke deklaruar se qeveria nuk ka toleruar dhe nuk do të tolerojë asnjëherë, asnjë grup terrorist.

Të mërkurën pritet mbledhja e qeverisë e cila do të vendosë mbi masat e sigurisë në kufirin me Sirinë, ndërkohë që ISIS-i, as ka mohuar dhe as ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit.

Top Channel