Mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, raportojnë Bushati e Gjosha

21/07/2015 00:00

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, një organ i ngritur rishtazi nga Kuvendi, i cili përforcon rolin e vet në monitorimin e procesit të integrimit, u mblodh për herë të dytë këtë të martë.

Në takimin e parë u thërrit ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati për të dhënë informacione në lidhje me përgatitjet dhe qëndrimet që Shqipëria do të shpalosë në takimin e Vjenës, që mbahet në fund të muajit gusht.

Takimi i Vjenës është etapa e dytë e atij që qeveria e quan “Procesi i Berlinit”, i nisur një vit më parë me takimin e udhëheqësve të rajonit në Berlin për të diskutuar urat e bashkëpunimit dhe projektet konkrete në infrastrukturë, energji, turizëm, arsim e të tjera fusha.

Ministri Bushati tha se janë katër fushat kryesore ku Shqipëria do të kërkojë mbështetjen me projekte në takimin e Vjenës.

“Së pari në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjitike, së treti kapitalet njerëzore, arsimimi dhe edukimi dhe në fund turizmi”, deklaroi ai.

Kryediplomati shqiptar vlerësoi si një arritje ngritjen e Fondit të Ballkanit Perëndimor, që do të ketë selinë në Tiranë. Ai tha se do të synohet përfshija e gjithë vendeve të rajonit në këtë fond, që do të ndihmojë në hartimindhe financimin e projekteve.

Ndërkohë, në fjalën e hapjes kryetarja e këtij Këshilli, Majlinda Bregu tha se mbledhja “Procesi i Berlinit” nuk zëvendëson procesin e integrimit europian, ndaj tha ajo, drejt Europës nuk shkohet me dashuri, por me reforma.

Nga ana e saj, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha foli për ecurinë e realizimit të pesë prioriteteve të vendosura si kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

“Kemi marrë vlerësime tejet pozitive për gjithë punën dhe reformat. Për ne këto mesazhe janë një përgjegjësi edhe më e madhe për të vazhduar përpara. Sfidë është hapja e negociatave dhe puna që kemi përpara është shumë e madhe”, tha ajo.

Gjosha u ndal tek një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria për plotësimin e pesë kritereve.

Gjosha u ndal tek një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria për plotësimin e pesë kritereve, si reformën në administratën publike, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, miratimin e strategjisë antikorrupsion dhe ngritja e sistemit të denoncimit online, lufta kundër krimit të organizuar dhe ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sfidë, tha Gjosha, mbetet hetimi i krimit financiar dhe atij kibernetik.

Top Channel