Turi i përfunduar? Jo, tani nis pedalimi nëpër Alpe

21/07/2015 00:00

Dikush mund të pyesë me të drejtë, a është vendosur tashmë fituesi i Turit të Francës? Në fakt, diferencat mes britanikut Froome, mbajtës aktual i fanelës së verdhë, dhe rivalëve më të afërt kanë qenë thuajse konstante nga etapa në etapë.

Quintana është 3 minuta e 10 sekonda larg; Van Garderen 3 minuta e 32 sekonda; Contador në 4 minuta e 23 sekonda ndërsa Nibali, kampioni në fuqi, plot 7 minuta e 49 sekonda. E megjithatë, gara më e rëndësishme dhe më e famshme e çiklizmit botëror, Turi i Francës, ende s’ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë.

Gjithçka do të luhet mes rivalëve kryesorë që nga e mërkura, pas pushimit të së martës, me një kalim plotësisht nëpër Alpe, gjë që me siguri do të ndikojë në klasifikimin e përgjithshëm. Në 4 etapat e ardhshme do të ketë një sasi të bollshme ngjitjes nëpër male, të cilat sigurisht që fshehin edhe “të papritura” si për kryesuesin, edhe për ndjekësit.

Nuk duhet ta sforconi shumë kujtesën për të risjellë në vëmendje se çfarë ka ndodhur në etapën e parë pas ditës së fundit të pushimit. Në “La Pierre Saint Martin”, Froome i dha një goditje Turit të Francës, duke shtangur të gjithë kundërshtarët e tij në ngjitjen përfundimtare. Edhe këtë herë niset si pretendent dhe me profil sfiduesi për pedalimin në zona malore, ndaj dhe gjithçka mbetet për t’u parë e për t’u ndjekur drejtpërsëdrejti në Top Channel.

Top Channel