Projektligji për arsimin e lartë, Qeveria: Vizion i ri për universitetin. PD: Po gjunjëzoni arsimin

21/07/2015 00:00

Seanca e posaçme e Kuvendit për projektligjin e arsimit të lartë nisi me fjalën e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla.

Pasi renditi një sërë shkeljesh të gjetura kur mori detyrën në krye të institucionit që drejton, Nikolla tha se ka një mundësi mes mazhorancës dhe opozitës që ta miratojnë me konsensus këtë projektligj. Sipas saj, drafti i dorëzuar në Kuvend për miratim është produkt i një procesi të gjatë dhe gjithpërfshirës.

“Tre elementët, cilësia, transparenca dhe përgjegjshmëria janë investimi më i madh. Prindërit shqiptarë që kanë sakrifikuar përjetë për edukimin, kanë mundësinë që këtë sakrificë të madhe ta bëjnë kundrejt një cilësie krejt të re. të nderuar pedagog, pjesë e reformës do të jeni edhe ju. Ky ligj mundëson që shoqëria të mobilizohet që të sigurojë më shumë burime financiare për edukimin në arsimin e lartë, fuqi dhe resurse nga të gjitha drejtimet, para publike dhe private, donacione biznesesh e me radhë do të krijojnë kushtet që kapacitetet e burimeve njerëzore dhe ato shkencore në arsimin e lartë të rritet”, tha ministrja Nikolla.

Por projektligji has në kundërshtimin e një grupi pedagogësh dhe studentësh, që sipas ministres Nikolla po shantazhojnë Kuvendin më kot.

“Nuk mund të na ndalë një grup i vogël që përpiqen të shantazhojnë Kuvendin se nëse kalon ky projektligj sot, atëherë është fundi i arsimit të lartë. Të nderuar profesorë dhe pedagogë, më keq se ç’ka qenë dhe ç’e keni bërë nuk do të bëhet më”, deklaroi Nikolla.

Më tej ministrja e Arsimit u ndal te disa pika të ligjit, që nga e drejta e studimit, që tha se u garantohet të gjithë të rinjve që dëshirojnë të ndjekin studimet e lartë, puna akademike dhe çështja e financimit.

Pra në këtë kuptim, nuk bëhet fjalë që dikush të dalë jashtë, por thjesht të gjithë duhet të përshtaten me standardet dhe dinamikat e reja që sjellin konkurrencë dhe përgjegjshmëri. Të nderuar përfaqësues të biznesit, ne kemi vlerësuar se me anë të kësaj reforme, një sistem më i mirë edukativ, i lidhur dhe në funksion të tregut është qëllimi parësor, ndaj më lejoni të dashur kolegë t’u ftoj që me votën tuaj të mbështesim transformimin dhe rivendosjen e cilësisë në sistemin tonë të arsimit të lartë”, deklaroi Lindita Nikolla.

Por opozita kundërshtoi projektligjin. Deputetja, Jorida Tabaku tha se ligji është krejtësisht klientelist, ndërsa Jozefina Topalli deklaroi se ligji është antikushtetues dhe u mohon të drejtën themelore të arsimimit të rinjve që vijnë nga familje të varfëra.

“Nuk mund t’i bëjë mirë një shoqërie një projektligj që nuk reformon, por shformon, duke qenë se në vetvete nuk reflekton asnjë njohje minimale ndaj situatës aktuale dhe gjendjes së arsimit të lartë, por në të kundërt e gjunjëzon arsimin e lartë përpara një grupi klientele që në të vërtetë janë edhe hartuesit e këtij ligji,. Duhet pranuar që megjithë të metat tona si ish-mazhorancë në raport me arsimin e lartë ne asnjëherë nuk sollëm, nuk mbrojtëm, nuk angazhuam një ushtri oligarkësh për të ndërtuar një projektligj dhe për të shkatërrruar sistemin e arsimit të lartë, aq sa nesër nëpër supermarkete, dyqane, kjoska do të kemi një diplomore, një ligj që dënon të pamundurit, që do u duhet breza për ta paguar, që e trajton arsimin publik si një mall tregu çam pa asnjë vlerë për shoqërinë tonë. Përballë këtij ligji, nuk keni vetëm opozitën, por keni 140 pedagogë, qindra studentë që kërkojnë llogari për guximin që keni pasur me votat tuaja për të fundosur arsimin publik”, tha Tabaku.

Duke iu përgjigjur Tabakut, ministrja Nikolla kërkoi prej saj të bëjë publikë emrat se kush janë klientelistët.

“Fund e krye gënjyet! Fund e krye të pavërteta të mëdah që nuk kanë të bëjmë me këtë ligj. Që të më sfidoni në gjithë këtë që unë thashë për ju me dhimbje, ju lutem tregojuani shqiptarëve se kush janë kli9entelistët, kush janë oligarkët, e me radhë e me radhë gjithë etiketimet që thatë dhe që kanjë bërë të mundur këtë ligj”, u përgjigj Nikolla.

Ish-kryeministri Berisha tha se projektligji u mbyll dyert e universiteteve të varfërive të vendit, heq autonominë dhe rrit tarifat.

“Kjo reformë u mbyll derën e studimeve shtresave të varfëra. Mbështes dhe do të mbështes çdo hap drejt cilësisë, por jo të mbyllen dyert. Imagjinoni se sa dënojmë ne mes tyre që kanë ëndërr universitetin, një njeri i varfër që ti u thua jo s’mund të shkosh në shkollë. A ka mekanizma për të rritur cilësinë? A duhet rritur cilësia? Po, por jo duke u nisur nga xhepi. Ju me këtë ligj dekapitoni autonominë e vendit”, tha Berisha.

Top Channel