F1, nderimet e fundit për Jules Bianchi

21/07/2015 00:00

Trupi i pajetë i Jules Bianchi është përcjellë për në banesën e fundit pas një shërbimi funerali, ku mori pjesë i gjithë komuniteti i Formula 1, të mbajtur në Katedralen “the Sainte Reparate” në Nicë të Francës.

Qindra persona vajtues kanë qenë të pranishëm për t’i bërë nderimet e fundit ish-pilotit të garave automobilistike, i cili u nda nga jeta të premten pasi qëndroi për rreth 9 muaj në gjendje kome, për shkak të dëmtimeve të rënda të pësuara në kokë nga ajo përplasje e tmerrshme me një vinç gjatë Çmimit të Madh të Japonisë të sezonit të kaluar.

Pilotët aktualë, duke nisur nga Lewis Hamilton, Jenson Button, Sebastian Vettel, Romain Grosjean, Nico Rosberg, Felipe Massa, Daniel Ricciardo, Daniil Kvyat, Pastor Maldonado, Marcus Ericsson dhe Roberto Merhi u janë bashkuar familjarëve dhe miqve të Bianchi për t’i dhënë lamtumirën e fundit 25-vjeçarit francez.

Në funeral mori pjesë edhe presidenti i FIA-s (Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit), Jean Todt, shoku i Bianchi te skuderia Marussia, Max Chilton, drejtori sportiv i Manor (emri aktual i ish-Marussias) Graeme Lowdon, si dhe drejtuesi më i lartë i ekipit, John Booth, së bashku me disa figura të tjera të shquara të botës së Formula 1, përfshi edhe 4 herë kampionin e botës, Alain Prost.

Dy fotografi të mëdha të Bianchi të veshura tërësisht me tutën sportive të ish-skuderisë Marussia u varën në muret e jashtme të Katedrales, në të dyja anët e hyrjes, të cilat u tejmbushën edhe nga dhjetëra kurora me lule.

Të hënën, në shenjë respekti, FIA mori nismën e tërheqjes së numrit 17 për pilotë, numër që i përkiste pilotit Jules Bianchi.

FOTO GALERI
1/15
Jules Bianchi (3 Gusht 1989 - 17 Korrik 2015)

Top Channel