Investigimi i “New York Times”, hedh dritë mbi vrasjet në det

21/07/2015 00:00

Një investigim i prestigjozes “New York Times” hedh dritë mbi një problematikë për të cilën nuk është folur shumë, atë të krimeve që ndodhin në det.

Sipas një raporti të fundit, anijet janë duke u bërë mjete transporti gjithnjë e më të rrezikshme për shkak të mungesës së patrullimeve të policisë detare.

Gjithçka filloi me një video e cila po qarkullonte në internet kohët e fundit. Pamjet filmike tregonin vrasjen e 4 burrave me breshëri plumbash në mes të detit në ishujt Fiji. Viktimat ende nuk janë identifikuar për shkak se rryma detare ka zhdukur trupat e tyre.

Qeveria e Tajvanit pretendon se mund të kenë qenë piratë të cilët kishin konflikte mes tyre, por sipas “New York Times”, fjala pirate është një maskim, pas së cilës fshihet një mister.

Vrasjet në det mund të jenë edhe një mënyrë me të cilën kriminelët mund të ekzekutojnë individë të shënjestruar pa lënë gjurmë. Teksa që nga viti 2008 zhvillimi i aktivitetit të piratëve në det ka rënë, ato që mund të jenë shqetësuese, janë anijet të cilat me ekuipazhin e tyre janë nisur me një qëllim të caktuar, si për shembull për peshkim, apo të tjera që bëjnë kërkime për naftë apo lëndë minerale.

Me rritjen e konkurrencës, rritet edhe tensioni. Kjo nxit dhunën apo aktet kriminale.

Në të njëjtën kohë, muajt e fundit kane prodhuar edhe fenomenin që njihet ndryshe me termin “dyndje emigrantësh”. Mijëra refugjatë janë transportuar me anije mallrash nga anë të ndryshme të globit për të arritur Europën.

Sikurse vetë dëshmitarët pohojnë, ka pasur raste që në anije janë përballur me raste terrori. E këtu bëhet fjalë për konflikte mes trafikantëve të anijeve dhe emigrantëve, ku për prishje pazaresh, kontrabandistët i kanë hedhur në det refugjatët e pa mbrojtur, ose kanë ushtruar dhunë mbi ta vetëm për t’i plaçkitur.

Statistikat vjetore flasin se qindra persona janë vrarë në det, ndërsa mijëra janë sulmuar. Por, shifrat e autoriteteve të shteteve përkatëse flasin për shifra shumë herë më të ulëta sesa investigimi i bërë nga “New York Times”.

Top Channel