Dëshmia e radhës ndaj Ivanoviçit: Sulme të inskenuara në Veri për të dëbuar shqiptarët

21/07/2015 00:00

Në seancën gjyqësore kundër Oliver Ivanoviçit dhe 4 të akuzuarve të tjerë për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 dhe 2000 në veri të Mitrovicës, të martën ka dëshmuar Edmond Boshnjaku, i cili tha se natën e 3 shkurtit të vitit 2000 ka qenë me bashkëshorten e tij dhe 3 fëmijët te vjehrra në veri të qytetit.

Sipas tij, atë natë rreth orës 19:00 një numër i madh serbësh po tuboheshin afër shkollës teknike.

“Kam dëgjuar në ato momente, nga serbët që po vraponin për t’iu bashkëngjitur turmës, se një bombë ishte hedhur në njërën prej kafeterive të veriut, mirëpo gjithçka ishte e sajuar, vetëm sa për pretekst për t’i dëbuar shqiptarët nga ajo pjesë”, ka thënë mes të tjerash Boshnjaku.

Ai shtoi se, një pjesë e njerëzve nga turma kanë hyrë në ndërtesën, ku ishte ai atë natë dhe duke kërcënuar se do të hedhin bomba nëpër banesa kanë kërkuar që t’i hapin dyert.

“Kam dëgjuar të shtëna armësh, pastaj shpërthime granatash, ndërsa më vonë kemi kuptuar se një grua plakë, që jetonte në të njëjtën ndërtesë, ishte vrarë”, tha dëshmitari.

Ai deklaroi se Oliver Ivanoviçin e njeh shumë mirë, sepse ishte fqinji i tij i parë dhe njëherë e një kohë e kishin quajtur “vëlla” njëri-tjetrin, por nuk e kishte parë gjatë ngjarjeve të asaj nate, përveç se kur ka ardhur në ndërtesë atë natë për pak minuta bashkë me një ushtarak të KFOR-it.

Mirëpo, – shtoi dëshmitari, – Oliverin e kishte parë shumë herë tek ura e Ibrit me të ashtuquajturat ‘rojet e urës’, të cilët keqtrajtonin shqiptarët që dëshironin të ktheheshin në veri të qytetit. Ai potencoi se Oliverin nuk e kishte parë asnjëherë duke keqtrajtuar, por të tjerët që ishin pjesë e këtij grupi po. Seanca e radhës pritet të vazhdojë të mërkurën.

Top Channel