Intoleranca ushqimore, “bomba” e organizmit tonë

21/07/2015 00:00

Ju ka ndodhur ndonjëherë, që pasi hani – edhe kur keni konsumuar ushqime të lehta, si sallatë apo peshk, – të mos ndiheni mirë? Jo gjithmonë të ushqyerit shëndetshëm është i mirë për organizmin tuaj.

Kjo është intoleranca ushqimore, ku produkte të dietës sonë së përditshme, si qumështi, gruri, domatet, mishi dhe frutat e thata kanë një reagim kronik në organizëm.

Si ta kuptojmë kur vuajmë nga intoleranca ushqimore? Simptomat mund të jenë shpeshherë të “maskuara”, duke prekur çdo organ të trupit. Ato nuk lidhen domosdoshmërisht me sasinë e ushqimit, që konsumojmë. Edhe nëse hamë diçka në masë krejtësisht të vogël, problemet mund të jenë të njëjta.

Ndër sëmundjet, që shkaktohen nga intoleranca janë ato të aparatit tretës; sëmundjet e lëkurës; çrregullimet metabolike, si diabeti dhe kolesteroli i lartë; sëmundjet alergjike dhe astma; dhimbjet e kokës, si migrena; sëmundjet e zemrës; sëmundja e tiroideve; lodhjet kronike; luhatjet e humorit; krizat e panikut dhe stresi i vazhdueshëm.

Mbipesha është një tjetër problem shumë i theksuar, që shkaktohet nga intoleranca. Edhe në rastet kur dieta mbizotërohet nga zarzavatet, peshku dhe frutat e detit, apo pula, ndodh që ato nuk metabolizohen në mënyrën e duhur dhe na “bllokojnë” organizmin.

Ajo çka rekomandohet në të tilla raste është testi i intolerancës, i cili na tregon ushqimet që duhet të shmangim për një periudhë të caktuar kohore, kryesisht 2-3 muaj. Përmirësimi në shëndet dhe rezultatet e humbjes në peshë janë lehtësisht të dukshme.

Top Channel