Kur dashuria kurorëzohet bashkë me bukuritë natyrore shqiptare

21/07/2015 00:00

Shpeshherë, natyra e bukur shqiptare është shfrytëzuar nga turistët apo gazetarët. Një mori reportazhesh e dokumetarësh janë realizuar në lidhje me këtë aset të paçmuar natyror.

Por, ndryshe nga të gjithë, një çift i ri e ka shfrytëzuar për herë të parë natyrën e Shqipërisë për të realizuar një set fotografik në ditën e tyre më të veçantë, kurorëzimin e dashurisë.

Juli dhe Antigona janë të sapomartuarit, të cilët kanë arritur përmes një videoklipi të ndërthurin dashurinë e tyre me bukuritë e pamata të Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës apo Thethit. Janë pikërisht këto, vendet që promovohen përmes videoklipit të dasmës së tyre, e cila ka marrë qindra klikime në internet.

Mes bukurive të këtyre vendeve, ata vendosën të finalizojnë dashurinë 10-vjeçare sëbashku, duke shijuar me këtë rast edhe ditët e fundit të beqarisë. Ky 10-vjeçar, sipas tyre, bart sakrifica të mëdha, të cilat tashmë kurorëzohen me puthje, përqafime dhe buzëqeshje të pafundme.

Një videoklip, që tenton të përfshijë të gjithë hapësirën e bukur shqiptare, por edhe dasma nuk ka mbetur më pas. Në ceremoninë e tyre, Juli dhe Antigona kanë futur edhe elementë të traditës, të percjella përmes bashkimit familjar e fisnor, por edhe përmes këngëve, valleve dhe veshjeve popullore tradicionale. Një gjetje, që ka krijuar shumë emocione te të pranishmit.

Top Channel