Skënderbeu kalon në turin e tretë të Champions League

21/07/2015 00:00

Skënderbeu u mund 3-2 në Belfast nga Crusaders, por falë fitores 4-1 në Korçë arriti të kualifikohet në raundin e tretë të Champions League.

Ndeshja nisi si mos më keq për të besuarit e Josës, pasi Renato Arapi u largua me kartonin e kuq që në minutën e 11 të ndeshjes, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak për më shumë se 80 minuta. Pjesa e parë u dominua nga Crusaders, por korçarët arritën të mbroheshin mirë dhe e mbajtën rrjetën të paprekur në 45 minutat e para.

Me të filluar pjesa e dytë, vendasit gjetën golin e parë me Stephen O’Flynn, por Skënderbeu edhe pse me një lojtar më pak arriti të barazojë rezultatin me Bernard Berishën në minutën e 69, ndërsa 8 minuta më vonë  Liridon Latifi e çoi rezultatin në 1-2.

Por kjo ndeshje nuk kishte përfunduar me kaq, pasi lojtarët e Crusaders e kthyen sërish rezultatin në favorin e tyre. Matthew Snoddy dhe Andreë Mitchell e vulosën rezultatin në 3-2, pasi shënuan në minutën e dytë dhe të tretë të shtesës. Megjithatë janë korçarët që kalojnë në fazën e tretë, pasi fituan në ndeshjen e parë 4-1.

Në turin tjetër, Skërderbeu do të ndeshet me moldavët e Milsamit, një ekip modest ky i krijuar në vitin 2005. Nëse korçarët kalojnë edhe këtë kundërshtar, atëherë ata do të luajnë në fazën play-off të Ligës së Kampioneve, në të kundërtën ata do të kalojnë në fazën play-off të Europa Ligë.

Top Channel