Marrëveshja bërthamore me Iranin, Kerry mbron hapat e administratës “Obama”

22/07/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një intervistë të dhënë për radion publike kombëtare, mbrojti të gjithë hapat e ndërmarra nga administrata “Obama” për marrëveshjen me Iranin.

Sipas tij, zërat që e kritikojnë janë bosh dhe vijnë nga njerëz që gjejnë çdo lloj mënyre për të folur kundra.

“E vërteta është që unë jam larguar 3 herë nga kjo marrëveshje”, u shpreh Kerry, duke shpjeguar se arsyeja lidhet me kontestimin e fortë që Kongresi amerikan i bëri kësaj çështjeje.

Megjithatë, John Kerry ngulmoi se nëse Amerika tërhiqet mbrapsht nga ky vendim, Irani do të thotë: “E shihni, nuk mund të besoni te Perëndimi, nuk mund të negociosh me këta njerëz që mashtrojnë. Na sollën deri këtu e u larguan”.

“E ndërsa kolegët tanë europianë”, shtoi Kerry , do të përgjigjen : “Ne bëmë më të mirën tonë, por s’kemi gjë në dorë. Dhe këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të humbasin kredibilitetin e tyre”, e mbylli fjalën e tij Sekretari i Shtetit.

Top Channel