Tiranë, Fier e Tropojë, asgjësohen 4 mijë bimë hashashi

22/07/2015 00:00

Policia e Shtetit, në vijim të operacioneve kundër kultivimit të bimëve narkotike, ka asgjësuar 4 mijë rrënjë hashashi në tre operacione të ndryshme në Fier, Tiranë dhe në Tropojë.

Në Tropojë, në kuadër të operacionit “Lugu i Zi” u asgjësuan 1200 bimë hashashi të mbjella në tri parcela të ndryshme.

Policia zbuloi gjithashtu edhe dhjetra bimë të tjera që ishin prerë dhe vendosur në një banesë gati për tharje.

Uniformat blu arrestuan shpallën në kërkim shtetasin Shkëlqim Pitomina, si autor i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, ndërkohë që nisi procedimin penal ndaj kryeplakut të fshatit, shtetasit me inicialet, L.T., për moskallëzim krimi.

Në Fier u asgjësuan 1300 bimë hashashi të mbjella në një parcelë të marrë me qira nga shtetasit Novruz Kuka, Indrit Kuka dhe R.K. Policia asgjësoi me djegie bimët dhe ndalua të tre këta shtetas si të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.

Ndërkohë, në operacionin e koduar “Koordinata 5”, Policia e Tiranës lokalizoi dhe më pas asgjësoi 1500 rrënjë hashashi të mbjellë në pyjet e zonës së Zallbastarit.

Policia thotë se ka nisur hetimet për identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të kultivuesit të bimës narkotike.

Top Channel