Në Universitetin e Birminghamit gjenden fragmentet më të hershme të Kuranit

22/07/2015 00:00

Studiuesit dhe historianët e Universitetit të Birminghamit deklarojnë se kanë gjetur fragmentet më të hershme të njohura deri më tani nga libri i shenjtë i Islamit, Kurani.

Analizat me radiokarbon i dorëshkrimit tregojnë se bëhet fjalë për një dokument mbi 1370-vjeçar.

Dorëshkrimi ka qendruar për më shumë se një shekull në arkivat e Universitetit të Birminghamit së bashku me një koleksion dorëshkrimesh dhe librash nga Lindja e Mesme dhe askush nuk ishte në dijeni të rëndësisë së tij.

Gjithçka nisur kur një studiues dhe njohës i mirë i këtyre dorëshkrimeve kërkoi që t’i bëhej një testim radiokarboni dhe rezultati ishte mbresëlënës.

Susan Worral, pjesë e bordit drejtues të bibliotekës, thotë se studiuesve nuk u shkonte ndërmend as në ëndrra që bëhej fjalë për një tekst kaq të lashtë.

“Të zbulosh që kemi një prej fragmenteve më të hershme në botë të Kuranit është shumë emocionuese”, thotë ajo.

Teksti është i shkruar në lëkurën e një delje ose dhie. Metoda e përcaktimit të kohës së shkrimit me radiokarbon siguron një saktësi më të lartë se 95 përqind. Kjo do të thotë që dorëshkrimi i përket një periudhe nga mes viteve 568-645.

“Dorëshkrimi na çon pas në kohë, në vitet e lindjes së Islamit. Sipas traditës myslimane, Profeti Muhamed mori shpalljet dhe ngriti Kuranin mes vitit 610 dhe 632, viti i vdekjes së tij”, thotë David Thomas, profesor i Krishtërimit dhe Islamit në Universitetin e Birminghamit.

Thomas thotë se të dhënat sugjerojnë që personi që ka shkruar këto dorëshkrime me gjasa ka qenë gjallë në kohën e Profetit Muhamed.

“Mund ta ketë njohur, mund ta ketë parë, mund të ketë dëgjuar predikimet e tij. Mund ta ketë njohur personalisht”, thotë ai.

Drejtuesit e Universitetit të Birminghamit thonë se do të vendosin për ekspozim publik fragmentet në fjalë.

Sipas studiuesve, Kurani është mbledhur gradualisht dhe i plotë si libër është përfunduar rreth vitit 650.

Top Channel