Zgjedhjet “demokratike” në Korenë e Veriut

22/07/2015 00:00

Kush mendon që në Korenë e Veriut nuk zhvillohen zgjedhje, gabon. Zgjedhje zhvillohen, tjetër gjë pastaj sa të lira janë.

E diela që kaloi për koreano-veriorët ishte një ditë pushimi. Të gjitha aktivitetet u ndërprenë për t’u dhënë mundësi njerëzve të shprehnin me votë “vullnetin e tyre të lirë” në zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet mbahen çdo katër vite dhe këto ishin të parat të organizuara nga Kim Jong-un, i cili erdhi në pushtet në 2011-n.

Votuesit u ftuan që të zgjedhin mes emrit të një kandidati dhe…emrit të po atij kandidati. Pra në fletën e votimit kishte vetëm një emër, ai i caktuar nga Partia Punës.

Pjesëmarrja në votime ishte 99.97 përqind duke tejkaluar 98 përqindëshin e parashikuar më herët.

Veç zgjedhjeve lokale, koreano-veriorët zgjedhin edhe parlamentin e tyre. edhe këtu pjesëmarrja në votime është thuajse 100 përqind. Nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet, të quajtura demokratike, por që në të vërtetë janë një farsë e madhe që u sherbehet njerëzve, zgjidhet udhëheqësi i vendit. Në zgjedhjet e fundit, Kim Jong-un mori 100 përqind mbështetjen e këtij parlamenti.

Top Channel