SHBA mbështet Izraelin, Tel Avivi, kundërshtar i paktit me Iranin

22/07/2015 00:00

Një javë pas arritjes së marrëveshjes historike me Iranin mbi frenimin e programit të tij bërthamor, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu për ta garantuar se mbështetja amerikane vazhdon të jetë e palëkundur.

Shteti hebre e sheh Republikën Islamike dhe ambiciet e saj nukleare si një kërcënim ndaj vetë ekzsitencës së tij, ndaj ishte një prej kundërshtarëve më të zëshëm të paktit të vulosur në Vjenë. Kjo justifikonte dhe fytyrën e vrenjtur të Netanjahut kur priti shefin e Pentagonit përpara se të hynin në zyrën e tij në Jeruzalem për një takim që zgjati dy orë.

Asnjëri prej tyre nuk bëri komente në publik, por zëvendësministrja e Jashtme Tzipi Hotovely la të kuptohej se Izraeli nuk do të rreshtë së kundërshtuari  marrëveshjen, së paku deri kur Kongresi të përmbushë 60 ditët e shqyrtimit të dokumentit.

“Nuk duhet ta shohim këtë betejë si të pakuptimtë. Ne duhet të vazhdojmë ndikimin tonë mbi amerikanët dhe të mos lejojmë heqjen e sanksioneve”, tha ajo.

Carter pati një takim edhe me ministrit izraelin të Mbrojtjes, Moshe Yaalon, të cilit i tha se Izraeli është themeli i strategjisë amerikane në Lindjen e Mesme. “Ne i kemi të qarta interesat tona – garantoi Carter – e nje ndër to është miqësia dhe aleanca e Amerikës me Izraelin. Ya’alon nga ana e tij, përcolli po ashtu sigurinë se shteti hebre i vlerëson lart marrëdhëniet me Uashington dhe se pavarësisht mospajtimeve, që të dy vendet ndajnë interesa dhe vlera të përbashkëta.

Një ditë më parë, zyrtare të Ministrisë së Jashtme izraelite u ankuan për atë që e cilësojnë “thembra e Akilit” e marrëveshjes me Teheranin, që është mos prekja e çështjes se programit iranian të raketave ballistike, i cili sipas tyre, do të vazhdojë të përparojë brenda 5 apo 10 vjetesh, regjimi i Ajatollahëve do të ketë raketa me rreze të gjatë veprimi, të afta të kërcënojnë jo vetëm Izraelin, por të gjithë botën.

Top Channel