Specialja, Thaçi u kërkon deputetëve të PDK-së votimin e saj

22/07/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të partisë që udhëheq, për t’i bindur ata për të votuar Gjykatën Speciale.

Pas takimit, Thaçi u shpreh i bindur se Gjykata do të miratohet shumë shpejt, por nuk konfirmoi nëse në këtë takim i ka bindur të gjithë deputetët për të votuar pro formimit të saj.

Zëvendëskryeministri kosovar u ka kujtuar deputetëve se kanë detyrim të mbështesin vendimet e partisë, ndërsa ka kërkuar që Gjykata të miratohet para datës 1 gusht, kur deputetët shkojnë në pushime veror.

“Diskutuam edhe për domosdoshmërinë që të përmbyllet procesi i themelimit të Gjykatës Speciale sa më shpejt që është e mundur dhe mendoj se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të shkojë në pushime verore pa e përmbyllur këtë proces të rëndësishëm, të marrë nga viti i kaluar po nga Kuvendi i Kosovës dhe i zotuar prej shumicës së spektrit politik kosovar. Vendimet e Partisë Demokratike të Kosovës janë të qarta, gjë që kanë të gjithë obligim për t’i respektuar, pra presim që të përmbyllim në të ardhmen e afërt këtë proces edhe si qeveri, edhe si Kuvend”, deklaroi Thaçi.

Në kohën kur Thaçi po takonte deputetët e partisë së tij, Kryesia e Kuvendit ka mbajtur një mbledhje pa paralajmërim për mediet, por që sipas burimeve brenda Kuvendit, në këtë mbledhje nuk është diskutuar për Gjykatën Speciale, por për punë të brendshme të Kuvendit.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda Grupit Parlamentar të PDK-së se, shumicën e deputetëve që kanë votuar kundër Gjykatës Speciale, kreu i partisë së tyre i ka takuar edhe një ditë më parë dhe ka diskutuar për t’i bindur të ndryshojnë qëndrim.

Top Channel