Çështja “Frroku”, pushohet hetimi ndaj ish-drejtorit të Interpolit dhe punonjëses

22/07/2015 00:00

Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen penale në ngarkim të ish-shefit të Interpolit, Artan Bajraktari, dhe specialistes Loreta Alla.

Kjo për shkak se, vonesa e përcjelljes së praktikës ndaj organeve kompetente, në rastin e deputetit Mark Frroku, nuk rezulton se është bërë me dashje, por për shkak të një procedure, që kërkonte kohë për verifikim.

Në mbylljen e hetimeve dhe pushimin e çështjes, Prokuroria argumenton se nuk është vepruar brenda afatit duke u shkelur ligji, por nga hetimi rezultoi se kjo vonesë në përcjelljen e praktikës ndaj organeve kompetente nuk është bërë me dashje nga dy punonjësit e Interpol Tiranës, por për një shkak objektiv, që kishte të bënte me verifikimin e dy “e-mail”-ve të datës 08 janar 2015 dhe 23 janar 2015, në sistemin e brendshëm dhe komunikimit me qendrën e Interpolit në Lion të Francës.

Meqenëse ky verifikim kërkonte kohë, praktika është bërë e mundur të përcillet 4 ditë jashtë afatit ligjor, pikërisht më datë 27 mars 2015, një ditë pas dhënies së autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin e shtetasit Mark Frroku, i dyshuar për vepra penale të kryera brenda territorit shqiptar.

Gjithashtu, si rezultat i këtij mosveprimi në afatin ligjor, dy personat nën hetim nuk kanë pasur për qëllim të favorizojnë interesat personale apo të të tretëve, por prioritet ka qenë saktësimi i informacionit të përcjellë nga Interpol Brukseli drejt Interpol Tiranës.

Siç rezulton, veprimet e mosveprimet e personave nën hetim, Loreta Alla e Artan Bajraktari, janë kryer në shkelje të dispozitave ligjore të sipërpërmendura, pra përbëjnë shkelje të ligjit, por duke pasur parasysh natyrën e shkeljes së evidentuar më lart, organi i akuzës arrin në konkluzionin se kjo shkelje do të konsiderohet si shkelje e natyrës me karakter administrativ, duke e renditur në kategorinë e kundërvajtjes administrative dhe jo shkelje të ligjit në kuadër të së drejtës materiale penale.

Top Channel