Terrori në Turqi, kritika qeverisë se nuk ka marrë masa

22/07/2015 00:00

Pas episodit tronditës të Surucit, ekspertët e antiterrorit paralajmërojnë se në Turqi mund të ketë edhe sulme të tjera të këtij lloji, ndërsa politika e ndjekur prej Ankarasë në raport me Sirinë kritikohet sot më fort se kurrë.

Shpërthimi që shkatërroi qendrën kulturore Amara e mori 31 jetë njerëzish, kryesisht të rinj vullnetarë për rindërtimin e Kobanës, me shumë gjasë ka qënë vepër e një kamikazi të lidhur me ISIS-in. Por sërish thonë zërat kritikë, ai nuk u trajtua ose thjesht nuk po perceptohet si kërcënim serioz.

Mungesa e një kontrolli të rreptë kufitar ka sjellë mjaft probleme. Komuniteti ndërkombëtar e ka shënjestruar prej kohësh politikën e jashtme të Turqisë në lidhje në Siri dhe lëvizjen e luftëtarëve të huaj që kalojnë pa vështirësi përmes territorit të saj për t’iu drejtuar vendit fqinj të zhytur në një konflikt të përgjakshëm disa vjeçar. Edhe pse forcat turke të sigurisë i përforcuan kontrollet, ngjarja e Surucit, e cila përbën dhe episodin më vdekjeprurës në vend që prej 2013-tës, është dëshmi e qartë e faktit se hapat e ndërmarrë nuk kanë qënë të mjaftueshëm.

Ankaraja vetëmohon ta ketë bërë njërin sy qorr përballë rrezikut, madje zyrtarë të lartë të vendit lanë të kuptohej se shpërthimi i Surucit mund të ishte një kundërpërgjigje e Shtetit Islamik ndaj hapave energjike të marrë së fundi kundër tij. Një sërë personash të dyshuar për lidhje me ISIS-in janë prangosur brenda këtyre javëve në Turqi, dhe një gjysëm duzine vvebsite-sh informative islamike janë bllokuar, çka nxiti një grup aleat të ISIS-it të akuzonte autoritetet turke për persekutimin e muslimanëve e të deklaronte se “muslimanët mund të hakmerren”.

Që prej masakrës se Surucit, zemërimi zien edhe në radhët e kurdëve dhe simpatizantëve të tyre. Partia Punëtore e Kurdistanit, grupi militant që luftoi për tre dekada rresht kundër shtetit turk, deklaroi se përgjegjësinë e shpërthimit e mban partia në pushtet AK, të cilën e akuzoi se e ka mbështetur ISIS-in në përndjekjen e kurdëve të Sirisë.

Top Channel