Kosovë, shpërbëhet struktura paralele serbe e sigurisë

22/07/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të shpërbëjë të ashtuquajturën “Mbrojtja civile” që ka vepruar jashtëligjshëm si strukturë paralele serbe e sigurisë në komunat veriore të Kosovës.

Me këtë vendim nisë edhe zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, i cili detyron Kosovën që të përfshijë në institucionet shtetërore, 483 serbët që deri tani kanë punuar kundër shtetësisë së Kosovës.
 
E ngarkuara për dialogun, Edita Tahiri tha se me këtë vendim qeveria do të marrë të gjitha objektet dhe pikat që deri tani jashtëligjshëm i ka menaxhuar e ashtuquajtura “Mbrojtja civile” në veri të vendit.

“Konkluzionet në fjalë parashohin mbylljen e të gjitha pikave vëzhguese të sigurisë së objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale dhe dorëzimin e tyre tek institucionet e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës me këtë marrëveshje është zotuar për të përfshirë 483 individë që kanë qenë pjesëtarë të kësaj strukture”, është shprehur Tahiri.

Ajo theksoi se përfshirja e serbëve nga “Mbrojtja Civile” në institucionet e Kosovës, do të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës,  duke bërë edhe verifikimet përkatëse të sigurisë për të kaluarën e tyre. Tahiri paraqiti edhe planin e integrimit, ku pasqyrohet një listë e ministrive dhe agjencive që do të përfshihen këta persona në zyrat e reja që shteti i Kosovës do t’i hapë për herë të parë në veri të vendit.

Kryeministri Isa Mustafa e vlerësoi të rëndësishëm këtë hap të qeverisë, ndërsa foli edhe për koston e zbatimit.

“Natyrisht që është një kosto shtesë sepse është fjala për 483 punonjës, mirëpo, po ashtu jemi konsultuar edhe me Ministrinë e Financave. Ne kemi një hapësirë të punësimit për këtë vit, dhe natyrisht edhe buxhetit të punësimit. Ne duhet të zbatojmë një vendim të tillë, në mënyrë që t’i integrojmë këto struktura, dhe pastaj sipas proceseve që ministrja i paraqiti këtu, ne do të bëjmë shuarjen e tyre, dhe po ashtu do të bëjmë edhe shfrytëzimin e të gjitha objekteve dhe hapësirave që janë shfrytëzuar për ato qëllime, për institucionet legale të Republikës së Kosovës, që veprojnë në veri të vendit”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për rritjen e akcizës për kazinotë dhe lojërat e fatit. Po ashtu, qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin e emrit të ndërmarrjes publike “PTK-Sh.A” në “Telekomi i Kosovës” Sh.A.

Top Channel