Kosova alarmohet nga vala e refugjatëve që po dynden në Ballkan

22/07/2015 00:00

Institucionet e Kosovës janë alarmuar nga vala e refugjatëve prej Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, që po dynden në vendet e Ballkanit.

Pas fluksit të madh të refugjatëve në kontinentin europian, institucionet kosovare po diskutojnë një seri masash, në rast se edhe Kosova do të bëhet vend, ku refugjatët kërkojnë strehim.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda Qeverisë se, shqetësimet për një fluks të refugjatëve në Kosovë kanë ardhur së fundi, pasi Serbia është duke mbyllur të gjithë vijën kufitare për çdo lëvizje, ndërsa edhe muri kufitar i vendosur nga Hungaria ka ndikuar, që refugjatët të kenë tani rrugë të vetme drejt Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë ka mbajtur të mërkurën një takim koordinues ndërinstitucional me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Kosovës.

Siç ka njoftuar Ministria e Jashtme, në takimin koordinues është analizuar rreziku që i kanoset Kosovës, nga fluksi i refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

Institucionet pjesëmarrëse në këtë takim u pajtuan, që të themelohet një grup pune ndërinstitucional dhe të hartohet një plan veprimi për hapat që do të ndërmarrë vendi, në rast rrezikimi nga ky fluks i mundshëm.

Sipas njoftimit, aktualisht Policia e Kosovës është duke operuar me një shtim të patrullimit në kufi me Maqedoninë, me qëllim parandalimin e çfarëdo tendence të emigrimit të jashtëligjshëm.

Top Channel