Maqedoni, RDK-ja kërkon ndryshime rrënjësore të Kodit Zgjedhor

22/07/2015 00:00

Partia shqiptare në Maqedoni, Rilindja Demokratike Kombëtare ka kërkuar ndryshime rrënjësore të Kodit Zgjedhor në vendin fqinj.

Kjo parti ka kërkuar edhe pastrimin e listës zgjedhore, që do të pamundësonte manipulimet nga partitë në pushtet të procesit zgjedhor dhe do të krijonte kushte të barabarta për partitë politike, që marrin pjesë në një garë zgjedhore.

RDK-ja ka vlerësuar se duhet ndryshuar edhe modeli zgjedhor dhe, nga 6 njësite zgjedhore, Maqedonia duhet të jetë një njësi e vetme, ku partitë do të garonin me lista të hapura. Sipas kësaj partie, kjo do të kontribuonte në demokratizimin e shoqërisë dhe të partive politike, si dhe do të mundësonte përfaqësimin real, politik e etnik, të votuesve.

Më tej, RDK-ja ka kërkuar që identifikimi i votuesve të bëhet nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve, mënyrë kjo me anë të së cilës do të shmangej problemi i kamotshëm i votimit të shumëfishtë, që ka ndodhur deri më tani në Maqedoni.

Kjo parti vlerësoi gjithashtu se, mënyra e deritanishme e votimit të diasporës duhet anuluar, për shkak se është diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ngaqë numri i votave për zgjedhjen e deputetëve në diasporë nuk është i barabartë me votat, që kërkohen për deputetët në vend.

Top Channel