Kosovë, qeveria rrit akcizat për duhanin, lojërat e fatit dhe fishekzjarret

22/07/2015 00:00

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar propozimin për ndryshimin e normave të akcizës për duhanin, lojërat e fatit dhe fishekzjarret, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, të sjellë nga ministri i Financave Avdullah Hoti.

Duke parë nevojën e harmonizimit me direktivat e BE-së, si dhe me normat tatimore me vendet në rajon, ministri i Financave Hoti ka propozuar ndryshimin e normave të akcizës së aplikueshme në disa produkte në Kosovë.

Në këtë kontekst, ndryshimet që janë propozuar janë si në vijim: rritje e akcizës së duhanit nga 35€ për 1000 copë, në 38€ për 1000 copë; rritje e akcizës me normë prej 40% në aparatet apo makinat, që përdoren në lojërat e fatit; si dhe vendosja e akcizës prej 2€ për kilogram sa u përket fishekzjarreve.

Kjo gjë ka ndodhur edhe për shkak të marrjes parasysh që buxheti i vitit 2015, i aprovuar në fillim të vitit, ka qenë i përmbushur në një masë prej mbi 90% dhe hapësira për shkurtime, me qëllim të ruajtjes së rregullës fiskale ka qenë e kufizuar.

Për këtë janë identifikuar masa afatgjate në të ardhurat, të cilat nuk kanë efekte negative në mirëqenien sociale të popullsisë, aktivitetin ekonomik, si dhe ambientin e biznesit.

Top Channel