Turqi, identifikohet autori i sulmit në Suruç

22/07/2015 00:00

Zyrtarë të qeverisë turke kanë thënë se është bërë identifikimi i autorit të sulmit në Suruç, që la të vdekur 32 të rinj që po merrnin pjesë në një aktivtet në këtë qytet.

Testi i ADN-së ka zbuluar se sulmuesi ishte një 20-vjeçar, student turk. Mediat në këtë shtet kanë raportuar se bëhet fjalë për Seyh Abdurrahman Alagoz.

Ai është nga provinca juglinore e Adiyaman dhe mendohet se ka lidhje me ekstremistët e ISIS.

Nëna e Seyh Alagoz iu ka thënë mediave turke se djali i saj ishte larguar “jashtë shtetit” para gjashtë muajsh, ndërsa u rikthye para dhjetë ditësh.

Ajo është shprehur se nuk e dinte se ku ka shkuar, ndërsa kur e kishte pyetur, ai i kishte thënë të mos shqetësohet. Besohet se në këtë periudhë kur ai nuk ka qenë në Turqi, Seyh ishte në Siri pranë militantëve të ISIS.

Ndërkohë, dy policë turk janë gjetur të vdekur në qytezën Ceylanpinar, në afërsi të kufirit me Sirinë. Ata ishin vrarë në shtëpinë në të cilën jetonin bashkë.

Top Channel