MF: Janar- korrik janë shlyer 16 miliardë lekë detyrime të prapambetura

22/07/2015 00:00

Ministria e Financave bën të ditur se janë shlyer mbi 16 miliardë lekë detyrime të prapambetura për periudhën janar-  16 korrik 2015. Pjesën më të madhe e zënë detyrimet për investimet publike, të ndjekura pas nga ato për rimbursim TVSH-je.

Sipas njoftimit zyrtar 5.9 miliardë lekë janë alokuar për invsetimet publike, 0.3 miliardë lekë për shpenzime korente për mallra dhe shërbime, 5.1 miliardë lekë janë alokuar për rimbursim të TVSH-së dhe Tatim Fitimit.

Ndërsa 5.1 miliardë lekë të tjera janë alokuar për shërbime të tjera, si detyrimet për vendimet gjyqësore, përkatësisht 3 miliardë lekë, shpronësimet rreth 1 miliardë lekë dhe 1.1 miliardë lekë për emergjencat dhe shpërblimet për lindjet.

Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura u parashikua të realizohet për një periudhe 3-vjecare  (2014-2016) dhe fondet e alokuara u planifikuan me një vlerë më të madhe për vitin e parë (35 miliard lekë) dhe duke vijuar me dy vitet në vazhdim respektivisht 20 miliard lekë në vitin 2015 dhe 17,5 miliard lekë për vitin 2016.

Duke e parë si shqetësuese gjëndjen e paraqitur të borxhit të akumuluar, Ministria e Financave vendosi që në muajin Dhjetor 2013 me buxhetin e këtij viti, të shlyejë rreth 4.9 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Këto detyrime ishin kryesisht për investimet publike që ishin kryer gjatë viteve të kaluara, rreth 3 miliardë lekë dhe për pagesat e vonuara të paaftësisë dhe të ndihmës ekonomike, të cilat kanë një ndikim drejtpërdrejtë në shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, që ishin rreth 1.9 miliardë lekë.

Top Channel