Meta, në konstituimin e Bashkisë së Skraparit: Të jetë model zhvillimi

22/07/2015 00:00

Konsitutimi i Bashkisë së re të qytetit të Çorovodës, bashkuar tashmë me 105 fshatra, ka çuar gjatë së mërkurës në këtë qytet kryetarin e Parlamentit dhe njëkohësisht kreun e LSI-së, Ilir Meta.

15 këshilltarët e Këshillit të ri Bashkiak zgjodhën me votat e tyre kryetarin e ri të tij, Luan Çuedari, ndërsa nënkryetare zgjodhën Flora Çela.

Duke e konsideruar konstituimin e Këshillit Bashkiak, si bazë të suksesit të veprimtarisë së kësaj bashkie, Meta e cilësoi Bashkinë e Skraparit si një institucion mjaft të hapur gjeografikisht, me 105 fshatra, dhe si e tillë kërkon shërbime.

“Nëpërmjet bashkëpunimit, ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe çdo burim për punësimin e mirëqenien e banorëve. Në fund të këtij mandati 4-vjeçar, Bashkia e Skraparit do të jetë një model i zhvillimit, suksesit, bashkëpunimit e zgjidhjes së problemeve vendase”, u shpreh Meta.

“Mjaft projekte në këtë qytet janë në proces, të tjera do të nisin. Qyteti i Çorovodës, vitet e fundit është bërë një model i tranformimit, gjelbërimit, pastërtisë, shërbimeve dhe ruajtjes së traditave më të mira të zonës”, pohoi më tej Meta.

“Projekti për lidhjen e Skraparit me Përmetin është një projekt, që do të përmbyllet me sukses. Tashmë po realizohet projekti i rrugës, që do të lidhë këto dy qytete, dhe besoj se në të ardhmen do të përfundojë realizimi i këtij investimi të rëndësishëm, që do të bashkojë dy nga luginat më të bukura të Shqipërisë, luginën e Osumit me atë të Vjosës. Ky investim do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e turizmit në këtë rajon”, deklaroi kryeparlamentari Meta.

Top Channel