Rriten pensionet, Klosi: Përfitojnë më shumë veteranët e luftës

22/07/2015 00:00

Qeveria ka miratuar dy vendime për rritjen e pensioneve, ku më shumë do të përfitojnë veteranët e luftës. Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi bëri të ditur se nga vendimet përfitojnë 599 364 pensionistë, që përfitojnë një rritje të pensionit mujor me 1.4 për qind.

“Falë vendimit të sotëm, 599 364 pensionistë në Republikën e Shqipërisë do të përfitojnë rritje të pensionit të tyre mujor prej 1,4%, si pasojë e përllogaritjes vjetore që bën Ministria e Mirëqenies Sociale, mbështetur në të dhënat e INSTAT-it. Ky vendim merret për të mbrojtur të gjithë pensionistët, 453 511 që jetojnë në qytet, 145 800 që jetojnë në fshat dhe 32 800 pensione të parakohshme suplementare, në mënyrë që pensioni i tyre mujor të jetë i garantuar, pavarësisht luhatjeve normale të inflacionit”, tha z. Klosi.

Një tjetër vendim i rëndësishëm është dhe ai për 6600 veteranë të luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Pensionet e tyre do të rriten me 15. 6 për qind.

“Sot, qeveria shqiptare ka vendosur të çojë në vend dinjitetin e atyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, duke i rritur pensionet e 6600 veteranëve të luftës me 15.6%”, tha ministri.

Top Channel