Itali, në shënjestër bazat ushtarake, arrestohen 2 fanatikë të ISIS

22/07/2015 00:00

Policia italiane ka ndërmarrë një operacion antiterror në qytetin e Breshias ndaj dy personave të akuzuar për bashkëpunim, me qëllim kryerjen e akteve terroriste.

Hetimet, e kryera nga njësia e specializuar DIGOS, kanë mundësuar konfirmimin se dy mbështetësit e ISIS po kryenin një fushatë nxitëse në rrjet.

Dy të arrestuarit janë një tunizian dhe një pakistanez, i cili kishte krijuar profilin “Shteti Islamik në Romë”, në rrjetin social Twitter.

Në profilin në fjalë ishin postuar mesazhe kërcënuese që mbanin firmën e ISIS dhe foto të disa vendeve simbol të Romës dhe Milanos, si Koloseu apo katedralja D’Uomo.

Ndërkohë, një prokuror i Milanos që ka marrë pjesë në koordinimin e hetimeve ka deklaruar se dy fanatikët po planifikonin të godisnin edhe një bazë ushtarake në lokalitetin Gedi, në rrethinat e Breshias.

“Ata kishin menduar të stërviteshin ushtarakisht në territorin sirian dhe kishin shkarkuar nga rrjeti një manual për muxhaheidinët perëndimorë”, ka deklaruar prokurori.

Shtetasi tunizian dhe ai pakistanez jetonin në Itali prej vitesh dhe me dokumenta të rregullta. “Jemi në rrugët tuaja. Jemi kudo. Po lokalizojmë objektivat tanë, në pritje të orës X”, ishte një prej mesazheve të postuara në Twitter nga dy të rinjtë.

Top Channel