Kosovë, debate në Kuvend për misionin e EULEX-it. Reagon misioni i BE-së

22/07/2015 00:00

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar të mërkurën për punën e misionit të EULEX-it, duke kritikuar ashpër misionin e Bashkimit Evropian të instaluar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se misioni i EULEX-it, në vazhdimësi është shoqëruar me skandale, ndërsa – sipas tij, – prokurorët dhe gjykatësit evropianë nuk kanë arritur të gjykojnë kriminelët serbë të luftës në Kosovë, por kanë ngritur akuza ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, si nismëtare e debatit ka propozuar një rezolutë, e cila parashikon t’i kërkojë Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që kjo e fundit të kërkojë nga shefja e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, të nisë hetimin për të gjitha dyshimet e publikuara për zyrtarët e EULEX në Kosovë.

Gjatë diskutimeve, deputetë të opozitës kanë kërkuar shqyrtimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, mirëpo deputetët e koalicionit qeveritar u larguan nga salla, për shkak se opozita po kritikonte misionin e BE-së në Kosovë.

Përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës kanë thënë se, nuk e mbështesin rezolutën e Vetëvendosjes, për sa kohë kanë bërë thirrje për transferim sa më të shpejtë të të gjitha kompetencave të EULEX-it tek institucionet e Kosovës.

Kritikave të deputetëve kosovarë u është përgjigjur përmes një komunikate edhe EULEX-i.

Misioni i Bashkimit Evropian ka mohuar se prokurorët ndërkombëtarë nuk po kryejnë punën për çfarë janë ngarkuar, duke theksuar se, që nga muaji prill 2014, prokurorëve të EULEX-it u janë caktuar 38 raste të reja, prej të cilave 31 raste janë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe 7 raste janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Top Channel