Vuçiç pret krerët e Presidencës së Bosnjes: E kam harruar sulmin në Srebrenicë

22/07/2015 00:00

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç e ka konsideruar si një ngjarje të harruar tashmë sulmin ndaj tij në Bosnje-Hercegovinë të 11 ditëve më parë, teksa këtë të mërkurë ka pritur 3 presidentët boshnjakë, në një takim të ideuar për të qetësuar situatën mes dy ish-republikave jugosllave.

Vuçiç u godit me gurë në lindje të Bosnjes gjatë përkujtimeve që shënuan 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku mbetën të vrarë mbi 8 mijë burra e djem myslimanë nga forcat serbo-boshnjake në muajt e fundit të luftës së Bosnjes, që zgjati nga 1992 deri më 1995.

Menjëherë pas agresionit nga një turmë e egërsuar që hodhi gurë, shishe dhe lëshoi një lumë ofendimesh, Vuçiç bëri thirrje ndaj Presidencës tripalëshe (referuar ndarjes së pushtetit mes serbëve ortodoksë, boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve katolikë) të vizitonin kryeqytetin serb, dikur edhe kryeqytet i Jugosllavisë.

Gjatë vizitës, udhëheqësit e Bosnjes u shprehën se “historinë duhet t’ua lëmë historianëve”, ndërsa ata duhet të ndërtojnë një të ardhme të ndritur për Ballkanin, si dhe shëtitën rrugëve të Beogradit pas drekës mes tyre. Por, ata diskutuan edhe në lidhje me tensionet e reja të lindura prej planit të një serbo-boshnjaku për ta hedhur në referendum autoritetin e Gjykatës Kombëtare të Bosnjes, gjë që Perëndimi e konsideron si një sfidë ndaj integritetit të shtetit.

“E kam harruar atë”, tha Vuçiç në lidhje me sulmin në Srebrenicë. “Ajo çfarë ndodhi ndaj meje ishte e pakënaqshme dhe e vështirë, por nuk ishte asgjë krahasuar me atë çfarë ka ndodhur ndaj mijëra boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve gjatë luftës”, tha kryeministri serb. “Ne do të vazhdojmë të shtrëngojmë duart, sepse nuk mund të luftojmë apo ta bëjmë lumin Drina të kullojë gjak sërish”.

Serbia ka mbështetur serbo-boshnjakët me forca humane dhe parà gjatë luftës së Bosnjes, në të cilën 100 mijë persona humbën jetën. Një gjykatë e Kombeve të Bashkuara i konsideroi vrasjet masive të Srebrenicës si gjenocid, një term që Serbia dhe serbët e refuzojnë.

Vuçiç asokohe ishte një ultranacionalist i shquar, por që prej atëherë e ka ndryshuar imazhin e tij si një reformator properëndimor i vendosur për ta anëtarësuar Serbinë në Bashkimin Europian.

Javën e kaluar, ai nxiti serbët në Bosnje ta mendojnë edhe njëherë, përpara se të zhvillojnë një referendum mbi autoritetin e Gjykatës Kombëtare kundrejt tyre, duke iu përgjigjur paralajmërimeve të Perëndimit se vota do të përbënte një kërcënim të hapur ndaj integritetit të shtetit boshnjak.

“Besoj se historinë duhet t’ua lëmë historianëve – tha Dragan Covic, udhëheqësi kroat i Presidencës boshnjake, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, – dhe mbi gjurmët e ngjarjeve të së kaluarës të ndërtojmë rrugën e re të pajtimit”.

Top Channel