Itali, duart e mafias në kumarin online; policia sekuestron 2mld euro asete

22/07/2015 00:00

Policia italiane ka konfiskuar asete me vlerë 2 miliardë euro në pronësi të një klani mafioz, pas një seri operacionesh blic të kryera këtë të mërkurë.

Mes pronave të sekuestruara ishin edhe qindra dyqane bastesh, që kontrolloheshin nga një familje e Ndrangetës, organizata që dominon trafikun e kokainës në Evropë e më gjerë.

Gjatë operacioneve policia ka kryer edhe 41 arrestime. Ministri i Brendshëm, Angelino Alfano ka deklaruar se këto aksione të kryera në veri dhe në jug të Italisë përbëjnë një goditje serioze për organizatën kriminale.

Policia ka bërë me dije se ka sekuestruar të paktën 1.500 salla bastesh, 82 faqe interneti për lojra bixhozi online, 45 kompani dhe 11 firma të shtrira përtej Italisë.

Gjashtë prej tyre ishin në Maltë, dy në Spanjë, dy të tjera në Rumani dhe një në Austri. Grupi kriminal pastronte shuma të mëdha parash të pista përmes llogarive të hapura në faqet e internetit, të cilat u caktoheshin edhe me forcë personave që binin viktimë e rrjetit.

“Ata shkelnin ligjet që qeverisin sektorin e basteve dhe lojrave të kumarit online, duke akumuluar përfitime të mëdha, që më pas riinvestoheshin në blerje të kompanive të reja dhe në liçenca për zgjerimin e aktivitetit”, thuhet në një deklaratë të policisë.

Top Channel