F1, Hamilton: Në Hungari do të jap maksimumin…edhe për Jules Bianchi

22/07/2015 00:00

“Hungaria është një vend i bukur, ndër të preferuarit e mi. Jules është ende në lutjet dhe mendimet e mia, jo vetëm për këtë garë të radhës, por do të mbetet i tillë gjatë gjithë ditëve të mia si pilot i garave automobilistike”.

Me këto fjalë e ka nisur javën përgatitore përpara Çmimit të Madh të Hungarisë, piloti britanik i Mercedesit dhe udhëheqësi aktual i Botërorit të Formula 1, Lewis Hamilton.

Sigurisht që mendimet e para shkojnë ende për pilotin francez Jules Bianchi, të ndarë nga jeta të premten e kaluar pas 9 muajsh beteje me vdekjen, teksa një ditë më parë u zhvillua edhe funerali për të, ku morën pjesë shumë figura të shquara të botës së automobilizmit. Në fakt, në garën e së dielës do të mbahet 1 minutë heshtjeje (më 13:45, 15 minuta para fillimit të garës).

“T’i jepnim lamtumirën Julesit ishte me të vërtet e vështirë, madje e pabesueshme për të gjithë ne”, ka thënë Hamilton, i cili ishte mes pilotëve të shumtë të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës së Bianchit të zhvilluar në Katedralen “Sainte Reparate” në Nicë të Francës, ku edhe ndërroi jetë piloti.

“Do të kisha dashur ta njihja më mirë. Por ajo që di rreth tij është se, Jules ishte tepër i sjellshëm, me një shpirt tepër të madh dhe sigurisht një talent i së ardhmes”, ka shtuar kampioni i botës në fuqi.

“Tashmë sporti ynë i preferuar do të kalojë përmes një rruge tepër të vështirë për t’u ndjekur. Kemi parë edhe njëherë rrezikshmërinë që na ofron Formula 1. Deri më tani kemi bërë progres të madh për sigurinë dhe jam i bindur se FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit) do të bëjë të tjera hapa përpara për t’u përmirësuar edhe më tej”, deklaroi piloti i Mercedesit.

Sa i përket garës së të dielës, Hamilton shprehet shkurt duke përfshirë edhe Bianchin në deklaratën e tij. “Di që do të donte të na shihte të garonim në maksimumin tonë dhe kështu do të jetë”.

Edhe Nico Rosberg është shfaqur i emocionuar nga humbja e kolegut të tij. “Ka qenë një javë tepër emocionuese. Ne si pilotë i kemi shfaqur respektin maksimal Julesit dhe i kemi thënë edhe lamtumirë. Ishte një pilot i talentuar dhe një djalë i zoti. Mendimet e mia janë me familjen e tij dhe me miqtë e tij më të afërt. Të gjithë do të ndihemi njësoj sa i përket kësaj çështjeje në bokset e skuderive tona gjatë kësaj fundjave. Por duhet të garojmë dhe të bëjmë maksimumin për Julesin, siç do të kishte dashur të bënte edhe vet ai”, tha piloti gjerman i Mercedesit, Rosberg.

Top Channel