F1, Hungaria do të jetë “apeli i fundit” për Raikkonen

22/07/2015 00:00

Formula 1 i afrohet garës së fundit përpara pushimeve verore. Këtë të dielë do të duhej të garohej në Gjermani, por një çmim i madh atje u anulua për shkak të mungesës së akordit komercial me krerët e sportit më të ndjekur të automobilizmit.

E megjithatë, këtë fundjavë pilotët do t’i drejtohen një tjetër gare klasike të kalendarit të Botërorit të F1, pikërisht Çmimi i Madh i Hungarisë. Në pistën “torturuese” të Hungaroringut garohet tashmë pa ndërprerje që prej 1986-s. Mercedesi do të kërkojë të thellojë edhe më tej avantazhin e madh në klasifikimin, ndërsa Ferrari shpreson ende në një rezultat pozitiv, për t’u rikthyer më pas më 23 gusht me garën e parë pas pushimeve, atë në Spa të Belgjikës.

Dy makinat “SF15-T” do të ketë disa ndryshime, duke shpresuar të përfitojë së paku nga dy përbërësit që përshtaten më së miri me telajon: gomat e buta dhe ato të mesme. Me gomat e forta, në fakt, është vënë re gjatë garave të fundit një dominim total i Mercedesit, madje thellim i dominimit nëse do të konsiderohej i tillë. Ndërsa “kokëkuqet” do të shpresojnë edhe nga faktori klimë, pasi i nxehti i madh pritet të rrezikojë konsumin e gomave e në këtë aspekt do të shqetësoheshin disi më shumë kundërshtarët.

Megjithatë, një nga temat më të rëndësishme të kësaj fundjave do të jetë me siguri edhe fati i Kimi Raikkonen. Kjo, edhe për shkak se Çmimi i Madh i Hungarisë ka qenë kryqëzues fatesh dhe merkatoje pilotësh shpesh në të kaluarën për Ferrarin. Tashmë duket se ka ardhur koha për të vendosur se kush do të jetë mbështetësi i Sebastian Vettelit për sezonin 2016. Ndaj dhe për finlandezin duket se ka ardhur koha e “apelit të fundit”.

“Hungaria më pëlqen, – është shprehur kampioni i vitit 2007. – Është e vërtetë se shumëkush thotë që kjo është një garë problematike, e mërzitshme, por nga ajo që kemi përjetuar vitet e fundit duket se nuk është e vërtetë diçka e tillë. Mua më pëlqen pavarësisht të nxehtit, i cili mbetet një problem, por besoj se do të ketë më shumë ndikim te gomat sesa te ne pilotët”.

Në Maranello, ndërkaq, Valtteri Bottas duket se është në vijën e parë të kandidaturave për ta zëvendësuar finlandezin, e për këtë ndoshta njoftimi mund të mbërrijë nga kjo fundjavë.

Top Channel