Një ditë nga qendra komunitare e Marqinetës

22/07/2015 00:00

Qendra komunitare është kthyer në buzëqeshjen e fëmijëve të fshatit Marqinetë në Bashkinë e Vorës. Ndonëse nuk është e veshur me luks, në këtë qendër atyre u ofrohet pa dyshim shumë dashuri.

Ambienti është vënë në dispozicion nga të rinj vullnetarë, përmes një organizate. Ata punojnë me këta fëmijë thuajse çdo ditë, duke iu vënë në dispozicion mundësi argëtimi dhe forma të tjera edukative.

“Pasdite në Top Channel” ka ndjekur një ditë të zakonshme në qendrën komunitare të fshatit Marqinetë, ku të vegjlit me shumë kuriozitet po mësohen nga vullnetarët, një pjesë prej tyre banorë të zonës, sesi të shfrytëzohen materialet e riciklueshme.

Dita kalon ndryshe për këta fëmijë, pasi falë punës së 30 vullnetarëve, ata jo vetëm argëtohen, por duke punuar me njëri-tjetrin tregojnë dhe aftësitë e tyre në art, sport, mësimdhënie të gjuhëve të huaja etj. Shpesh, misionit i bashkohen edhe vullnetarë të huaj, kryesisht nga Suedia, Finlanda, Brazili etj.

Nisma ka zënë fill pas tragjedisë së Gërdecit, vullnetarët e të cilëve u ofruan për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve dhe të rinjve të prekur nga kjo tragjedi. Aktivitetet e tyre u përqafuan menjëherë nga të vegjlit, e që prej asaj kohe, për shumë prej tyre qendra komunitare tashmë është shndërruar në një shtëpi të dytë.

Top Channel