Misioni i ri i Xhendris Ismailit

22/07/2015 00:00

Ai e konsideron si një prej momenteve më të errëta në jetën e tij. Fatmirësisht, atë ditë marsi ndodhej në Durrës, kur u shënua shpërthimi i fuqishëm në një punishte të demontimit të armëve dhe municioneve në Gërdec.

Tragjedia e rëndë mori jetën e 26 personave, mes tyre gra e fëmijë, ndërsa familja e Xhendris Ismailit pati vetëm dëme materiale në banesë, si shumë të tjerë në atë zonë. Në atë kohë ai ishte vetëm 13 vjeç, megjithatë, tragjedia tek ai pati një impakt të drejtpërdrejtë, duke i shkaktuar një dëm të madh psikologjik.

Pak kohë pas ngjarjes, Xhendrisit dhe fëmijëve të tjerë të asaj zone iu erdhën në ndihmë vullnetarë të shumë organizatave, mes tyre ajo suedeze.

Aktivitete të shumta, lojëra kreative apo kurse falas të gjuhëve të huaja. Këto ishin disa nga mënyrat e zgjedhura për t’u lehtësuar paksa tronditjet, që kishin pësuar këta fëmijë. Nisma u përqafua menjëherë nga të rinjtë, aq sa për ta, kjo qendër komunitare u bë pjesë e pandashme për to, edhe sot e kësaj dite.

Xhendris është vetëm njëri prej të rinjve, që sot është kthyer në një vullnetar të kësaj organizate, për t’u ardhur në ndihmë, tashmë ai vetë, të rinjve të zonës ku ai u rrit. Ndonëse u bë pjesë e kësaj qendre komunitare në një moment të vështirë për të shpresuar, Xhendris ia doli.

Madje, lidhja me këtë nismë është aq e ngushtë, sa për t’i krijuar kushtet e përshtatshme qendrës komunitare, që ai bashkë me miqtë e tij menaxhon, ka vënë në dispozicion katin e parë të banesës së tij të re në fshatin Marqinetë, me një qira modeste.

Këtij ambienti dhe fëmijëve të zonave rurale u kushton kohën e lirë, duke u dhënë atyre shumë përkushtim dhe dashuri, duke iu gjendur pranë kur kanë nevojë, e mbi të gjitha për t’u ndierë një person që ofron mirësi, pa vënë materializmin në plan të parë…

Top Channel