Kosovë, ndalet prodhimi në TEC-in “Kosova A”; Rrezikohet furnizimi me energji elektrike

22/07/2015 00:00

Rreth orës 18 të së mërkurës ka rënë njësia A4 në Koorporatën Energjetike të Kosovës dhe është bërë ndërprerja emergjente dhe e paparalajmëruar e prodhimit në këtë njësi të termocentralit A.

Njoftimi ka ardhur përmes një komunikate të lëshuar nga KEDS-i, ku thuhet se aktualisht në Kosovë, KEK prodhon energji elektrike me vetëm dy njësi në termocentralin “Kosova B”. Prishje të tilla të paparalajmëruara dhe të njëpasnjëshme rrezikojnë furnizimin e rregullt me energji elektrike.

“Në këto momente, si KEDS jemi duke u përballur me mungesë të paplanifikuar të sasive të konsiderueshme të energjisë elektrike në sistem, me vetëm dy njësi aktive në KEK. Për shkak të pamundësisë së importimit të sasive të mëdha të energjisë në afat të shkurtër kohor, mund të kufizohet furnizimi i rregullt me energji elektrike për konsumatorët”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

KEDS njofton se importimi i energjisë elektrike në rrethana emergjente kërkon kohë për t’u realizuar, si dhe disponueshmëri të mjaftueshme të energjisë në treg, që këto ditë është e limituar për shkak të temperaturave të larta në të gjitha vendet.

“Menjëherë pas ndërprerjes së paplanifikuar të prodhimit edhe në njësinë A4, ne kemi filluar procedurat për realizimin e importit të konsiderueshëm të energjisë për të mbuluar kërkesën e konsumatorëve dhe për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike”, thuhet më tej në njoftimin e KEDS, duke lutur konsumatorët të kursejnë energjinë elektrike.

Top Channel