Greqi, seanca për miratimin e draftit të dytë. Protesta në sheshin Sintagma

22/07/2015 00:00

“Të mblidhemi kundër Trojkës së luftës”. Është kjo parulla që manifestuesit grekë, të mbledhur në sheshin Sintagma të Athinës kanë ngritur për të protestuar kundër paketës së reformave që qeveria duhet të votojë këtë mbrëmje në Parlament.

Në shesh janë mbledhur rreth 500 persona, mes të cilëve mësues të shkollave private të gjuhëve. “Gjuhët e huaja = zhvillim”, shkruhet në një prej parullave, “Rritja me 23% e TVSH-së = varfërim”, thuhet në një tjetër.

“Grekët janë të parët në Europë që ndjekin mësime të gjuhëve të huaja dhe shkurtimet e imponuara nga Europa godasin grekët e rinj të një gjenerate të tërë”, ka deklaruar njëri prej mësuesve.
Për momentin situata në sheshin Sintagma është e qetë dhe nuk ka gjurmë të anarkistëve, por me kalimin e orëve është rritur prania e forcave të policisë.

Këto të fundit janë shtuar pasi në Parlament kanë nisur debatet mbi paketën e dytë të reformave të kërkuara nga BE për zhbllokimin e financimeve dhe shmangien e falimentimit.

Ndërkohë, votimi i së mërkurës cilësohet si një test për qeverinë Tsipras pasi pritet përsëri rebelim i deputetëve të krahut marksist brenda gjirit të radikalëve të majtë, midis tyre ish-ministrat e shkarkuar dhe kryetarja e Parlamentit, të cilët në diskutimet e tyre kanë thënë se nuk do të votojnë projektligjet përkatëse.

Paketa e dytë e masave që vlerësohet se do të marrë shumicen e votave pasi do të aprovohet edhe nga deputetët e opozitës, perveç Agimit të Arte dhe Partisë Komuniste, përmban dispozitat për Kodin e Procedurës Civile si dhe dispozitat për bankat.

Sipas burimeve qeveritare, nëse numri i deputetëve që do të rebelohen do të jetë më i madh se ai i javës së kaluar, kur 39 ligjvënës të Syrizas kundërshtuan ose abstenuan, atëherë kryeministri Tsipras ka shumë mundësi në shtator të shpallë zgjedhje të reja, në mënyrë që të spastrojë grupin e tij parlamentar.

Siç është shprehur të mërkurën zëdhënësja e qeverisë, brenda Syrizas ka dy grupe me bindje të ndryshme dhe divorci duket se është i pashmangshëm.

Top Channel