“Crown Agents, jashtë nga dogana”. Basha: Menaxhimi është më keq

23/07/2015 00:00

Pas denoncimit të përsëritur të opozitës për mungesën alarmante të 150 milionë dollarëve në arkën e shtetit, për shkak të korrupsionit në dogana e tatime, dhe pas heshtjes qeveritare për akuzat e opozitës për kontrabandën e naftës dhe cigareve, Lulzim Basha e lidhi Edi Ramën në aferë korruptive me “Crown Agents”.

Kjo është agjencia britanike, e kontraktuar 1 vit e gjysmë më parë, për të përmirësuar performancën e doganave.

“Publiku nuk ka marrë ende përgjigje nga Edi Rama. Ku janë 150 milionë dollarët që mungojnë në dogana dhe tatime, që nga fillimi i këtij viti? Edi Rama ka detyrimin të përgjigjet. Që tani, pa qenë nevoja të presim prokurorinë, duket qartë se kontrata e tij me “Crown Agents” është një dështim, që kundërmon erë korrupsioni”, tha Basha.

Por denoncimi nuk është lënë me kaq. Kur kanë mbetur vetëm 5 muaj nga kontrata qeveritare me “Crown Agents”, kreu i opozitës kërkoi zgjidhjen e kontratës, sepse – siç tha ai, – vendi është kthyer në kohën më të errët të kontrabandës.

“Kjo është vepra e zezë e Edi Ramës, që u shtohet të tjerave me të njëtën ngjyrë. Ai duhet të japë llogari e do të japë llogari deri në fund për ketë katandisje të doganave dhe tatime shqiptare si nyje kontrabande dhe hajdutërie. Kontrata me “Crown Agents” duhet të ndërpritet. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë më asnjë qindarkë për këtë  kompani të lobuar nga kryeministri. Mjaft kanë paguar dhe kot kanë paguar”, deklaroi Basha.

Sipas Partisë Demokratike, vendi po paguan shtrenjtë keqqeverisjen Rama-Meta, por Lulzim Basha garantoi gatishmërinë e opozitës për të kundërshtuar me çdo mjet demokratik vendimet klienteliste dhe korruptive të qeverisë, në dëm të interesit të popullit.

“Presim me padurim shtatorin për të intensifikuar me grupin parlamentar, me  qytetarët shqiptarë dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarëve betejën e madhe e të pandalshme kundër korrupsionit dhe krimit të ngritur në sistem dhe kundër kapjes dhe zhbërjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto vlera janë dhe mbeten busulla që do të na çojnë drejt suksesit dhe fitores”, përfundoi Basha.

Top Channel