Prioritet për në BE, gati “task forca” për hetimin e pronave të falsifikuara

23/07/2015 00:00

Si një ndër 5 prioritetet kyçe, të vendosura nga Bashkimi Europian për integrimin e Shqipërisë, çështja e pronave tashmë ka marrë vëmendje kryesore nga të gjitha strukturat e shtetit.

Më konkretisht, Prokuroria e Përgjithshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Avokatura e Shtetit dhe Policia e Shtetit po diskutojnë për ngritjen e një grupi të përbashkët pune, për evidentimin dhe hetimin e përbashkët të pronave të falsifikuara.

Për këtë çështje, mesditën e së enjtes, në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme kanë zhvilluar një takim Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla; drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato; Avokati i Shtetit, Alma Hiçka; si edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Mësohet se, pak ditë më parë, drejtuesit e këtyre institucioneve zhvilluan një takim me kryeministrin Edi Rama, takim në të cilin të gjitha palët shprehën vullnetin dhe dakordësinë për të krijuar një grup të përbashkët pune.

Ky grup pune do të formalizohet brenda pak ditëve, kur do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi e posaçme për këtë çështje. Në këtë marrëveshje do të paraqiten angazhimet e secilit institucion, në kuadër të hetimit të falsifikimit të pronave.

Top Channel