Në kujtim të Amy Winehouse

23/07/2015 00:00

Amy Winehouse një herë ka thënë: “Jeta është e shkurtër. Çdo gjë mund të ndodhë dhe zakonisht ndodh, kështu që nuk ja vlen të ulesh dhe të mendosh “sikur…” “dhe…” “por…”.

Në fakt ka patur të drejtë. Një nga muzikantet më të talentuara në botë ka humbur jetën më 23 korrik 2011 në moshën 27-vjeçare.

Edhe sot pas 4 vitesh, Amy Winehouse është në qendër të diskutimeve, së pari për shkak të dokumentarit “Amy” i cili ka pak kohë që është publikuar, për të cilin familja nuk është aspak dakort dhe së dyti një ekspozitë e titulluar “Amy Winehouse: A Family Portrait”, e cila pritet të hapet këtë javë në Londër.

Winehouse ishte një autore teksesh dhe këngëtare e mrekullueshme si dhe një ikonë mode por që nga momenti që kënga e saj “Rehab” u publikua, Amy ishte materiali kryesor i mediave rozë, i paparacëve, ndërkohë që beteja e saj me drogën nisi të publikohej akoma më shumë.

Por Amy vazhdon ende të “vritet dhe lëndohet” pasi si pasojë e dokumetarit apo ekspozitës, asaj po i publikohen në mënyrë të padrejtë gjërat që ajo do donte t’i mbante private…

Sot teksa përkujtojmë Amy-n duhet të ndihemi krenarë për atë çfarë ajo i dhuroi botës në kaq pak kohë por gjithashtu të trishtuar. Të trishtuar për atë çfarë ajo do i kishte dhënë botës sot. Përveçse një artiste e mrekullueshme, ajo kishte një zemër të pastër, gjithmonë gjente kohë të përshëndeste fansat duke mos treguar arrogancë në sjelljen e saj

Amy Winehouse ka lindur më 14 shtator 1983 dhe është ndarë nga jeta më 23 korrik 2011.

Top Channel