Kuvend, Berisha: Qeveria favorizon trafikun e drogës; Rama: Lufta ndaj krimit, e pakthyeshme

23/07/2015 00:00

Trafiku i drogës ka qenë boshti i diskutimeve në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, pas shtyrjes së votimit të projektligjit për turizmin.

Deputeti i PD, Arben Ristani akuzoi institucionet shtetërore se nuk kanë vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Duke cituar të dhëna të institucioneve ndërkombëtare, Ristani theksoi se, Shqipëria është kthyer tashmë në një urë droge.

“Departamenti i Shtetit po ofron një mbështetje të madhe në këtë drejtim. Por ne duhet të gëzohemi pak për këtë ndihmë, sepse duhet të trishtohemi për nivelin e krimit ku e ka futur vendin në këto 2 vjet kjo qeveri. Sasia e lëndëve narkotike nga Shqipëria të kapura nga policia në Itali dhe Greqi ka arritur nivele historike. Shqetësim për trafikun e narkotikëve e ka ngritur edhe Antimafia italiane dhe prokurorët e Gjenevës, që e cilësuan Shqipërinë si Kolumbinë e Evropës”, deklaroi Ristani.

Më pas, ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën, akuzoi qeverinë shqiptare për favorizim të trafikut të drogës. Berisha u shpreh se, pavarësisht ndërhyrjes në Lazarat, kultivimi i narkotikëve është shtuar dhe madje ka filluar të kultivohet edhe opiumi.

Berisha bëri përgjegjëse qeverinë edhe për laboratorin e drogës të zbuluar në Xibrakë të Elbasanit, ndërsa përmendi disa shifra të regjistruara gjatë qeverisjes së tij e që tregojnë sipas tij suksesin e arritur nga ekzekutivi i mëparshëm në luftën kundër drogës.

Duke iu përgjigjur akuzave, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se, qytetarët janë në gjendje të bëjnë dallimin mes qeverisë së kaluar dhe asaj aktuale.

“Shqipëria doli nga harta e vendeve të tranzitit të narkotikëve falë luftës së qeverisë kundër drogës”, tha mes të tjerash Tahiri.

Ai theksoi se në këto dy vjet qeverisje të majtë në vend është regjistruar një rënie historike e numrit të vrasjeve.

Ndër angazhimet e tjera të qeverisë, Tahiri, i cili u kërkoi deputetëve të opozitës që të bashkohen në luftimin e dukurive negative, përmendi edhe luftën ndaj terrorizmit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërsa kryeministri Rama, duke marrë fjalën hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke theksuar se, faktet flasin ndryshe.

“Që nga janari e deri më sot të këtij viti Shqipëria ka më pak se 50 për qind të numrit të vrasjeve krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme”, tha Rama.

Ai është shprehur se, “kjo është një shprehje kuptimplotë e procesit ku është futur Policia e Shtetit, që nuk ka përfunduar, por që po jep rezultate”.

“Rezultate të cilat kanë sjellë dhe një rritje të mbështetjes së SHBA, BE dhe KE ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Dhe s’ka asnjë dyshim që sot jo vetëm jemi në drejtimin e duhur, por kemi arritur në një kohë të shkurtër rezultate që 20 muaj më parë ishin të paimagjinueshme”, tha Rama.

Nga ana tjetër, vijoi shefi i qeverisë, nuk mund të harrojmë se trashëguam policinë më të keqpaguar në rajon, por edhe më të korruptuarën.

“Vitin e kaluar janë çuar për ndjekje penale apo janë liruar nga Policia e Shtetit 11 për qind e trupës së Policisë së Shtetit dhe natyrisht ky është një proces që vazhdon. Ne do ta bëjmë policinë tonë më të mirën në rajon dhe do ta ngremë në mesataren e vendeve të BE”, theksoi Rama.

Më tej ai hodhi poshtë kategorikisht zërat nga opozita se vrasja e efektivit të RENEA-s në Lazarat ishte përgatitur nga ministri i Brendshëm.

“Kur thuhet që efektivin e RENEA-s e vrau ministri i Brendshëm me miqtë e tij, ky nuk është një debat politik, por psikiatrik”, tha Rama.

Ai shtoi se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë marrë vlerësimet më të mira nga FBI-ja amerikane, e cila po mbështet krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Top Channel