Greqia, të tjera masa shtrënguese; paketa e tretë financiare ende duhet negociuar

23/07/2015 00:00

Pas miratimit të masave të reja anti-krizë që sigurisht, në Parlament nuk kaloi pa debate të ashpra, shume pyesin çfarë do të ndodhë në vazhdim me Greqinë. Së pari, sqaron BBC, kujtojmë se paketa e tretë financiare e ndihmës ende duhet negociuar.

S’do mend që me kaq shumë gjak politik të derdhur vetëm për fillimin e bisedimeve, logjika të shtyn të mendosh se as Athina e as Eurozona nuk do ta lënë marrëveshjen t’u rrëshqasë nga duart. Por asgjë nuk është 100% e sigurtë.

Negociatat përgjatë javëve në vazhdim nuk kanë për të qënë aspak të lehta, siç e kanë bërë të qartë dhe burime në Bruksel. Megjithatë le të supozojmë se programi i tretë arrin ta marrë dritën jeshile të palëve në tryezë. Në këtë rast, pyetja e parë që shtrohet është: a do të pajtohet Greqia me të gjitha angazhimet politike të kërkuara prej saj të cilat i urren si ekzekutivi grek, ashtu edhe pjesa dërrmuese e popullsisë.

Do të ketë objektiva të përcaktuar për financat qeveritare, sidomos sa i takon surplusit primar, që do të thote se qeveria duhet të inkasojë nga taksat me shumë të ardhura nga sa shpenzon. Për dy vjet Greqia ka arritur ta realizojë edhe pse me vështirësi menaxhimin e surpluseve primare, por me përkeqësimin e gjendjes ekonomike që prej fundit të vitit të kaluar, si dhe dëmeve të mëdha që solli mbyllja e bankave këtë muaj, vështirë se do ta arrijë ta përsërisë perfomancën edhe këtë vit.

Ka vetëm një mënyrë për të përmbushur një qëllim të tillë, e ajo është shtimi i masave shtrënguese. Pyetja tjetër që shtrojnë ekspertët është: a do të jetë qeveria greke në gjendja të vërë në zbatim  marrëveshjen. Shteti helen është edhe kështu tejet i rënduar me masa anti-krizë. Programi i ri do të monitorohet rreptësisht nga jashtë dhe nuk ka pothuajse asnjë dyshim se ka për të ngjallur tensione mes Athinës dhe kreditorëve, ndërsa ngërçet në implementim, me shumë gjasë do të sjellin vonesa të pagesave.

Masat shtrënguese ndërkohe do ta godasin akoma më fort ekonominë e gjunjëzuar grekë që ka hyrë tashmë sërish në recesion. Dhe vështirësitë afatshkurtra e afatgjata që shfaqen në horizont janë aq të shumta, sa mjaft analistë tashmë ndajnë bindjen e plotë që herët a vonë, perspektiva e një “Grex-iti” do të fanitet sërish.

Top Channel