ISIS, shteti i terrorit; i pakorruptuar por edhe brutal

23/07/2015 00:00

Nga një grupim i thjeshtë xhihadist, ISIS është duke u transformuar gradualisht në një shtet funksional që si armë kryesore ka terrorin. Përmes tij ai i detyron armiqtë të binden dhe i mban nën zgjedhën e frikës.

Grupi ka pushtuar territore të tëra, ka shkatërruar vepra të lashtësisë, ka masakruar minoritete, ka skllavëruar gra e i ka kthyer fëmijët në vrasës. Por ka diçka që duket se tek militantët e tij funksionon më së miri: mungesa e korrupsionit.

Këta njerëz i rezistojnë mitmarrjes dhe në këtë drejtim ia kalojnë si qeverisë irakiane, ashtu dhe asaj siriane, “që të dyja të gërryera nga korrupsioni, thotë “New York Times” duke cituar për këtë pohim ekspertë e banorë në të dy vendet, pjesë të mëdha të të cilëve kontrollohen nga ISIS.

Mund të udhëtosh nga Raka drejt Mosulit dhe askush nuk guxon të të ndalojë edhe po të kesh 1 milion dollarë me vete, thotë Bilali, që jeton në Rakan e konsideruar kryeqyteti de fakto i Shtetit Islamik në Siri.

Frika e shtyn të mos e tregojë mbiemrin, por rrëfimin e ka të sinqertë. Asnjëri nuk do të guxonte të merrte sikur edhe një dollar të vetëm, shton ai.

ISIS, i njohur ndryshe edhe si ISIL apo Daesh me akronimin arab, fillimisht funksiononte thjesht si organizatë terroriste, edhe më gjakftohtë dhe më mizore se Al Kaeda.

Pastaj nisi pushtimi i tokave e dalëngadalë e ka rritur kapacitetin qeverisës duke marrë tiparet e një shteti të mirëfilltë. Grupi ka lëshuar karta identifikimi për banorët, ka nxjerrë direktiva peshkimi për ruajtjen e rezervave, ndërsa automjeteve në qarkullim u kërkon të jenë të pajisura me kutinë e ndihmës së shpejtë.

“Mendoj se nuk ka asnjë dyshim që ky grup duhet parë si një organizatë shtetformuese”, thotë Stephen M. Walt, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Harvard.

Walt është pjesë e një grupi të vogël ekspertësh që ka nisur t’i zgjerojë radhët e tij e që sfidon bindjen e përgjithshme konvencionale se, e liga që Shteti Islamik bart në vetëvete garanton në fakt shkatërrimin e tij.

Walt argumenton se, me këtë ritëm, ISIS mund të triumfojë vërtet përballë fushatës modeste ushtarake të drejtuar nga Amerika.

“Pas pothuajse një viti sulmesh ajrore është bërë mëse e qartë se vetëm një ndërhyrje nga jashtë në shkallë të gjerë mund ta zmbrapsë Shtetin Islamik e mbase edhe ta eleminojë krejtësisht atë”, thotë profesori.

Top Channel