Rikthehet në Turqi Twitter-i; u ndalua publikimi i mesazheve për atentatin

23/07/2015 00:00

Përdorimi i Twitter-it u bë sërish i mundur në Turqi pas bllokimit të bërë rrjetit social të mërkurën nga autoritetet me qëllimin të parandalohej shpërndarja e fotografive nga sulmi me bombë i së hënës në Suruç.

Një zyrtar i qeverisë turke sqaroi se mbyllja e përkohshme e platformës së shumëpërdorur mundësoi “heqjen e komenteve keqdashëse”, siç ishin ato që përmbanin gjuhën e urrejtjes. Bllokimi i Twitterit u bë me urdhër gjykate.

Ankaraja i kishte kërkuar kompanisë të hiqte pamjet që lidheshin me sulmin ku humbën jetën mbi 30 vetë, shumica të rinj. Twitteri hoqi vetëm 50 prej 107 fotove që duhet të lëvizte brenda afatit prej katër orësh të vendosur nga qeveria turke. Me të skaduar koha në dispozicion, rrjeti social u bllokua deri në momentin që spostoi  edhe 57 fotot dhe videot e tjera të lidhura me hashtagun “suructakatliamvar, i super-klikuar pas masakrës së të hënës.

Ndërkohë, analizat e ADN-së kanë mundësuar identifikimin e autorit të ngjarjes që tronditi Turqinë. Autoritetet konfirmuan përfundimisht se ai i fillimjavës ishte një sulm vetëvrasës i kryer prej 20 vjeçarit me kombësi turke, Seyh Abdurrahman Alagoz. Mendohet se në vendin ku më pas do të hidhte veten në erë, studenti i një universiteti të provincës Adiyaman nuk kishte shkuar vetëm.

Ndërkohë, përpara 6 muajsh Alagoz kishte udhëtuar bashke me të vëllanë jashtë kufijve dhe e ëma rrëfeu për të përditshmen “Radikal” se nuk e dinte ku kishin shkuar djemtë e saj. Përpara këtij rrugëtimi, të dy vëllezërit kishin punuar në një bar të frekuentuar nga simpatizantë të ISIS-it e të mbyllur më pas prej ankesave të shumta nga familjet e zonës. Shpërthimi që shkatërroi qendrën kulturore “Amara” vuri në shënjestër grupin e aktivistëve të rinj, pikërisht në kohen kur po planifikonin nisjen drejt Sirisë për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit të Kobanes.

Top Channel