Menaxhimi i burimeve ujore; Ka rezerva, por shumë banorë janë të etur

23/07/2015 00:00

Për rreth 18 % të konsumatorëve në vend mungon furnizimi me ujë të pijshëm, ndërsa një pjesë e madhe vuan ende shërbimin e pjesshëm nga ndërmarrjet e ujësjellësit.

Qeveria prezantoi në një tryezë me donatorë reformën që do të nisë në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, që siç shprehet ministri Haxhinasto, synon rregullimin e sektorit, duke rritur përgjegjësitë për 61 bashkitë e dala nga reforma e re territoriale.

“Reforma konsiston në riorganizimin e ndërmarrjeve sipas bashkive dhe ndarjes së re administrative, marrjen e kompetencave dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së pushtetit lokal për cështjen e furnizimit me ujë dhe të kanalizime”, tha Edmond Haxhinasto/Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës.
 
Qeveria thotë se sasitë që prodhon vendi ynë janë 272 milionë metër kub ujë, çka tejkalon nevojën për t’i shërbyer edhe asaj pjese që sot vuan mungesën e ujit të pijshëm.

Por sipas ministrit, keqmenaxhimi dhe mungesa e investimeve ndër vite ka rritur humbjet në rrjet që sot janë në nivelin 67 %, ndërsa një tjetër problem janë lidhjet e paligjshme. Në këto kushte, Haxhinasto hedh poshtë mundësinë e një fature të rritur të ujit për familjet shqiptare.

“Nëse ne sot me këto kosto prodhojmë 50 milionë metër kub më shumë se i duhen të gjithë Shqipërisë si mund të rrisim cmimet. Jo nuk është rritja e cmimit mënyra për të realizuar qëllimet e reformës”, tha z. Haxhinasto.

Top Channel